Vendosni fjalën kyçe....

Norvegjia fajëson hakerët rusë për sabotimin e digës


 

Hakerët rusë morën kontrollin përkohësisht të një dige në Bremanger, Norvegji, më 7 prill të këtij viti, duke lëshuar 500 litra ujë në sekondë për katër orë, tha të mërkurën shefja e agjencisë së kundërzbulimit të Norvegjisë, Beate Gangaas. Ky është hera e parë që Oslo i atribuon zyrtarisht sulmin fqinjit të saj, përcjell REL.

Gangaas deklaroi se qëllimi i sulmeve kibernetike është të ndikojnë dhe të shkaktojnë frikë dhe kaos te popullata. Ajo paralajmëroi se Rusia po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme dhe bëri thirrje që qytetarët të jenë të përgatitur për sulme të mundshme të ardhshme.

Ambasada ruse në Oslo hodhi poshtë akuzat, duke i quajtur të pabaza dhe të motivuara politikisht. Autoritetet norvegjeze nënvizuan se incidenti nuk shkaktoi dëme njerëzore, por tregon rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturës energjetike, duke marrë parasysh se Norvegjia prodhon pjesën më të madhe të energjisë përmes digave hidroelektrike.

Norvegjia, anëtare e NATO-s dhe mbështetëse e fortë e Ukrainës, ndan kufirin me Rusinë në Arktik dhe është një furnizues kryesor gazi për Evropën, duke e bërë vendin një target të mundshëm për sulme hibride.