Vendosni fjalën kyçe....

Trump vendos nën kontroll federal policinë e Uashingtonit



Presidenti amerikan Donald Trump ka marrë kontrollin e policisë së Uashington DC-së dhe ka dërguar trupa të Gardës Kombëtare në kryeqytet, duke përdorur kompetenca kushtetuese që i japin qeverisë federale më shumë ndikim mbi distriktin sesa mbi qytetet e tjera. Masa u mor pavarësisht se niveli i krimit të dhunshëm në qytet është në minimumin e 30 viteve të fundit, përcjell Guardian.

Kryebashkiakja Muriel Bowser tha se policia e qytetit do të punojë “krah për krah” me autoritetet federale për të shfrytëzuar burimet shtesë, duke shmangur konfrontimet direkte me presidentin.

Por kryebashkiakë të tjerë demokratë reaguan ashpër. Brandon Johnson (Çikago), Brandon Scott (Baltimore), Barbara Lee (Oakland) dhe Karen Bass (Los Anxhelos) e akuzuan presidentin për “marrje pushteti” nga qeveritë vendore dhe për “frikësim politik”. Shumica theksuan se qytetet e tyre janë më të sigurta se në dekadat e kaluara dhe se dërgimi i trupave do t’i destabilizonte.

Kritika erdhën edhe nga guvernatorët demokratë, përfshirë Gavin Newsom (Kaliforni) dhe JB Pritzker (Illinois), të cilët e akuzuan Trump-in për tendenca autoritare dhe paralajmëruan se veprimet e tij mund të përdoren si model për militarizimin e qyteteve të tjera amerikane.