
Ilir Alimehmeti ka kërkuar që procesi i analizës pas zgjedhjeve të 11 majit në Partinë Demokratike të shoqërohet me një riformatim të plotë të forumeve dhe pozicioneve drejtuese brenda partisë. Në një intervistë për RTSH, ai theksoi se, ndonëse mandati i lidershipit aktual përfundon në vitin 2026, ndryshimet nuk duhet të shihen si tabu dhe mund të afrohen në kohë për të garantuar një organizim më të mirë për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
“Sa më shpejt të fillojë puna për riformatimin, aq më mirë për ne. Gara e ardhshme janë zgjedhjet lokale të 2027-ës dhe ne duhet të përgatitemi. Riformatimi dhe qarkullimi i ideve janë thelbësore. Duhet të heqim dorë nga heshtja, ajo nuk na çon përpara,” u shpreh Alimehmeti.
Ai tha se gara për kreun e PD-së duhet të jetë e hapur për këdo që ka ambicie dhe dëshirë për të kontribuar, pavarësisht qëndrimit të Sali Berishës. “Nuk mund të presim vetëm nga Berisha. Nëse dikush ka ambicie drejtuese, nuk ka pse të presë – çdo ditë që kalon është një ditë e humbur,” tha ai.
Duke reflektuar mbi procesin e Rithemelimit, Alimehmeti pranoi se ky nuk përmbushi pritshmëritë e plota dhe kërkoi një hapje më të gjerë të partisë për t’u dhënë hapësirë individëve me energji dhe kontribut real.
Në fund, ai u bëri thirrje drejtuesve të PD-së që të rikthejnë meritokracinë si parim themelor për vlerësimin e demokratëve, duke përmendur edhe rastin e Ervin Salianjit, të cilin e cilësoi si “burg politik” për kontributin e tij.