
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka bërë të ditur se situata e zjarreve në vend vijon të jetë kritike, me 17 vatra aktivenë disa qarqe të Shqipërisë. Në një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, ai tha se në operacionin për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar rreth 1000 forca, përfshirë trupa ushtarake dhe civile.
Sipas Vengut, operacionet janë duke u koordinohen nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, prefektët lokalë dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Në terren janë përfshirë gjithashtu pesë helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po operojnë në zonat më të rrezikuara, përfshirë Delvinën, Konispolin, Beratin, Dimalin dhe Bërzhitën.
Deri më tani janë neutralizuar nëntë vatra, të cilat po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme për të shmangur riaktivizimin e mundshëm si pasojë e erërave të forta dhe temperaturave të larta.
Për të përforcuar ndërhyrjen nga ajri, pritet që në orët e pasdites të mbërrijnë në Shqipëri edhe dy avionë “Canadair” nga Italia dhe Kroacia, si pjesë e ndihmës ndërkombëtare për menaxhimin e emergjencave natyrore që po përballon vendi.
Ministri ka bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa ka garantuar se strukturat shtetërore janë në gadishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.