
Qeveria shqiptare synon që deri në fund të kësaj dekade, vendi të kalojë plotësisht në një ekonomi pa para cash, ku të gjitha transaksionet financiare të realizohen në mënyrë dixhitale.
Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit të teknologjisë të mbajtur në Berat, Kryeministri Edi Rama theksoi se, edhe pse infrastruktura teknologjike ekziston, është i nevojshëm një sensibilizim i gjerë i shoqërisë për ta bërë këtë objektiv të mundur.
“Në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë vetëm me cash, që gjithë transaksionet financiare të jenë dixhitale. Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibizilim. Teknologjia nuk mungon. Besoj që nëse do dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do dimë të ecim, kjo është e realizueshme dhe do çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, u shpreh Rama.
Sipas tij, dixhitalizimi total i transaksioneve do të ndihmojë jo vetëm në luftën kundër informalitetit, por edhe në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në shërbimet publike e private.
Ky është një nga objektivat ambiciozë të qeverisë në kuadër të agjendës së saj për transformimin dixhital të Shqipërisë.