Vendosni fjalën kyçe....

Kurti takon zyrtarin e DASH, Hanrahan: Kosova mbetet partnere e palëkundur e SHBA-së



Kryeministri në detyrë i Kosovës,
Albin Kurti, është takuar të shtunën në mbrëmje në Prishtinë me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, për të diskutuar mbi marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe nevojën për thellimin e bashkëpunimit strategjik, përcjell REL.

Takimi u zhvillua në një darkë pune në rezidencën e të ngarkuarës me punë të Ambasadës amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Në takim morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike aktuale, bashkëpunimin rajonal dhe dialogun me Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleat i palëkundur për vendin tonë dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre,” u shpreh Kurti sipas njoftimit zyrtar.

Vizita e Hanrahanit në Kosovë është pjesë e një turi rajonal që përfshin Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Ai është zyrtari më i lartë amerikan që ka vizituar Ballkanin pas formimit të administratës së re në SHBA.

Më herët gjatë javës, Hanrahan është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në Washington D.C., ku u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, gjatë vizitës në Serbi, Hanrahan zhvilloi takim me presidentin Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik si bazë për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Serbisë. Vuçiq gjithashtu u shpreh se dialogu mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon.

Diplomati amerikan tha se pret me padurim forcimin e lidhjeve mes SHBA-së dhe vendeve të Ballkanit, në funksion të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ekonomik.