
Armëpushimi mes Iranit dhe Izraelit, që i dha fund konfliktit 12-ditor, duket se vijon të mbetet në fuqi. Në këtë situatë Pentagoni mbajti një konferencë të shumëpritur për shtyp, ku ndau disa detaje të reja mbi sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane. Megjithatë, nuk u prezantua asnjë informacion i ri inteligjence që të mbështesë deklaratën e presidentit Donald Trump, i cili ka pohuar se sulmet “shkatërruan” programin bërthamor të Iranit.
Ndërkohë, burime për CNN kanë konfirmuar se administrata Trump është përfshirë në përpjekje të fshehta diplomatike për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave, pavarësisht se ministri i Jashtëm i Iranit ka deklaruar se vendi nuk ka në plan të rifillojë bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Pas informimit të klasifikuar të Senatit për operacionin e koduar “Çekani i Mesnatës”, të zhvilluar të enjten, demokratët dhe republikanët kanë dalë me qëndrime të ndryshme dhe interpretime të ndara mbi efektivitetin dhe qëllimet e aksionit amerikan.
Shumë republikanë besojnë se sulmet kanë shtyrë me vite aftësinë e Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore, ndonëse disa prej tyre pranuan se kërcënimi nuk është eliminuar plotësisht.
Nga ana tjetër, demokratët u shprehën se situata është më e paqartë, ndërsa njëri prej tyre deklaroi se pengesa për Iranin është vetëm disa muaj.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, konfirmoi përmes mediave shtetërore se sulmet shkaktuan “dëme të gjera dhe serioze”. Megjithatë, ai mohoi çdo mundësi për rikthim në bisedime me SHBA-në, duke deklaruar:
“Nuk është arritur asnjë marrëveshje apo rregullim për të rifilluar negociatat. As nuk është dhënë ndonjë premtim dhe as nuk është zhvilluar ndonjë diskutim për këtë çështje,” u shpreh Araghchi për televizionin shtetëror IRINN.
Pavarësisht tensioneve dhe sulmeve ushtarake gjatë dy javëve të fundit, lojtarë kryesorë nga Shtetet e Bashkuara dhe Lindja e Mesme kanë zhvilluar bisedime të fshehta me përfaqësues iranianë, bëjnë me dije burime të afërta me zhvillimet.
Sipas këtyre burimeve, administrata Trump ka paraqitur disa propozime paraprake për të nxitur rikthimin e Teheranit në tryezën e negociatave. Ndër opsionet e diskutuara janë lehtësimi i mundshëm i sanksioneve dhe lirimi i fondeve iraniane të ngrira në vende të treta.