
Bursa izraelite shënoi të dielën nivele rekord, pas sulmeve ajrore të SHBA ndaj objekteve bërthamore të Iranit, një zhvillim që investitorët e interpretuan si një pengesë serioze për ambiciet bërthamore të Teheranit në një të ardhme të afërt, përcjell JP.
Indeksi i gjerë Tel Aviv 125 u mbyll me një rritje prej 1.8%, duke përforcuar fitimet javore në afro 8%, ndërsa indeksi blue-chip u rrit me 1.5%. Çmimet e bonove u rritën deri në 0.2% të dielën. Ndërkohë, megjithëse shekeli nuk tregtohet të dielave, ai është forcuar ndjeshëm – nga 3.61 për dollar më 11 qershor në 3.48 të premten, duke shënuar një rritje prej rreth 1% vetëm këtë muaj.
Rritja e tregjeve izraelite ka ardhur pas një jave pozitive në bursë, ku aksionet janë rritur çdo ditë pas sulmeve të Izraelit ndaj objektivave ushtarake dhe bërthamore iraniane, të cilat i paraprinë ndërhyrjes së befasishme të SHBA-së gjatë fundjavës.
“Shkatërrimi i objekteve kyçe bërthamore të Iranit nga ushtria amerikane është padyshim një zhvillim pozitiv, duke përmirësuar klimën e sigurisë në rajon dhe dobësuar kapacitetet ushtarake e bërthamore të Iranit,” tha Ronen Menachem, ekonomist kryesor në Mizrahi Tefahot Bank. “Ky është një moment që mund të ndryshojë rregullat e lojës.”
Sulmet izraelite kishin nisur më 13 qershor, duke përfshirë objektiva si uzina raketash balistike dhe pozicione të komandantëve ushtarakë iranianë. Iranit iu kundërpërgjigj me një seri raketash drejt Izraelit, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në Tel Aviv të dielën.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA kishte “shkatërruar” objektet kryesore bërthamore të Iranit gjatë një operacioni të natës, duke përdorur bomba të fuqishme nëntokësore, në një përshkallëzim të madh të konfliktit në Lindjen e Mesme.