Vendosni fjalën kyçe....

Reagon Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pas debatit për rritjen e pagave: Kritika po, por jo presion ndaj vendimeve tona


Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama lidhur me kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritje page me 700 euro.

Në një deklaratë publike, Zaçaj theksoi se vendimet e gjykatës janë dhe mund të jenë objekt kritikash, por paralajmëroi se kufiri duhet të mbetet tek kritika dhe jo të shndërrohet në presion ndaj institucionit.

Ne vlerësojmë se çdo vendim i yni mund të jetë objekt kritikash. Dhe unë e kam theksuar faktin se e drejta e lirisë së shprehjes nënkupton pikërisht këtë. Por kufiri mbetet deri tek kritika, jo te presioni,” u shpreh Zaçaj.

Duke iu referuar funksionimit të institucionit që ajo drejton, Zaçaj tha se Gjykata Kushtetuese vazhdon të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pavarësisht komenteve apo debateve politike.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të vendimeve të gjykatës, duke e lidhur këtë me nivelin e demokracisë në vend.

Zbatimi i vendimeve të Kushtetueses tregon stadin e demokracisë. Sigurisht kemi ende punë për të bërë, por në autoritetin e vet, vendimet tona janë të zbatueshme. Ka vendime që politika merr koston e vet nëse nuk i zbaton,” tha ajo.

Duke iu referuar deklaratave të politikanëve dhe zërave në media, Zaçaj nënvizoi se Gjykata i merr në konsideratë këto opinione, por theksoi se përgjegjësia kryesore mbetet informimi i publikut dhe garantimi i pavarësisë së gjykatës.

Janë deklarata të zakonshme që ne i kemi parë nga të gjitha palët që përfshihen në proces, përfshi edhe median. Ndonjëherë jeni ju të medias që i jepni zë më shumë se ç’duhet opinioneve që jepen për vendimet tona,” shtoi ajo.

Në përfundim, Zaçaj ritheksoi angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për të ruajtur integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë institucionale, duke e konsideruar këtë si detyrën më të rëndësishme ndaj publikut.