Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se u shisnin drogë pushuesve në jug, pranga dy britanikëve në Dhërmi


Dy të rinj britanikë janë arrestuar nga Policia e Vlorës pasi akuzohen se shisnin lëndë narkotike në zonën e plazhit.

Gjatë kontrolleve atyre u janë kapur doza të ndryshme metamfetamine e ketaminë, tableta ekstazi, një sasi të hollash dhe katër celularë. Drtoga iu kap në dhomën në Dhërmi ku dy britanikët qëndronin.

 

Njoftimi

“Policia e Vlorës ka finalizuar një tjetër operacion antidrogë në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë në zonat turistike të qarkut. Aksioni, i koduar “Cocktail”, u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me strukturat mbështetëse të hetimit.

Gjatë operacionit, të zhvilluar në fshatin turistik të Dhërmiut, u arrestuan dy shtetas britanikë, J. B., 34 vjeç dhe J. C., 33 vjeç, me banim në Londër, të cilëve u gjetën dhe u sekuestruan doza të ndryshme lëndësh narkotike dhe para cash, të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria e paligjshme.

Në total, Policia sekuestroi:

-52 doza me MDMA

-51 doza me Ketaminë

-120 tableta Ekstazi

-6 185 euro dhe 720 paund

-4 aparate celularë

-Automjeti tip “Mitsubishi” në përdorim të të ndaluarve

Të dy të dyshuarit ishin akomoduar në një dhomë në Dhërmi, ndërsa lëndët narkotike janë gjetur si në dhomën e qëndrimit, ashtu edhe në automjetin e tyre. Dyshohet se ata ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave në zonat e natës dhe hapësirat e frekuentuara nga turistë përgjatë bregdetit.

Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për hetime të mëtejshme.”