
Një referendum për lehtësimin e rregullave për marrjen e shtetësisë dhe forcimin e ligjeve të punës në Itali ka dështuar për shkak të daljes së ulët në votime, përcjell REL.
Për të qenë i vlefshëm, referendumit i duheshin më shumë se 50% e votuesve, por në fund morën pjesë vetëm rreth 30%.
Propozimi, i mbështetur nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, kishte për qëllim të ulte kohën që duhet një emigrant jashtë Bashkimit Europian të jetojë në Itali para se të aplikojë për shtetësi, nga 10 në 5 vjet. Ky ndryshim do e bënte Italinë më afër vendeve si Gjermania dhe Franca.
Megjithatë, kryeministrja Meloni dhe partia e saj, Vëllezërit e Italisë, e kundërshtuan fuqishëm këtë nismë dhe inkurajuan qytetarët të mos votojnë, duke ndikuar në mosarritjen e pragut të nevojshëm për vlefshmërinë e referendumit. Qeveria e Melonit ka prioritet luftimin e emigracionit të parregullt, megjithëse ka rritur numrin e vizave të punës për emigrantët.
Referendumi përfshinte edhe pyetje të tjera lidhur me mbrojtjen e punëtorëve të pushuar, të pasigurt dhe të përfshirë në aksidente pune. Sindikata CGIL e dënoi pjesëmarrjen e ulët si një shenjë të krizës demokratike në Itali.
Edhe nëse do të kishte kaluar, reforma nuk do të kishte ndikuar në ligjin për shtetësinë për fëmijët e lindur në Itali nga prindër të huaj, të cilët duhet të presin deri në moshën 18 vjeç për të aplikuar.