Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 5 të vdekur dhe 19 të plagosur nga një shpërthim në një fabrikë kimike në Kinë


Një shpërthim i fuqishëm goditi një fabrikë kimike në provincën lindore Shandong të Kinës rreth mesditës së të martës, duke lënë të paktën pesë të vdekur dhe 19 të plagosur, sipas televizionit shtetëror CCTV, përcjell AP.

Gjithashtu raportohet se gjashtë persona të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Shpërthimi ishte aq i fortë sa thyen dritaret e një magazine ruajtjeje që ndodhej më shumë se tre kilometra larg nga fabrika, sipas një videoje të shpërndarë nga një banor lokal, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të frikës nga hakmarrja.

Ai tha se shtëpia e tij u trondit nga shpërthimi dhe, kur shkoi te dritarja për të parë çfarë kishte ndodhur, pa një kolonë të lartë tymi që ngrihej nga vendi i shpërthimit, më shumë se shtatë kilometra larg.

Shpërthimi ndodhi në kompaninë Gaomi Youdao Chemical Co., e cila ndodhet në një park industrial në qytetin Weifang. Kompania prodhon pesticide dhe kimikate për përdorim mjekësor dhe ka më shumë se 500 punonjës, sipas të dhënave të regjistrimit të biznesit.

Sipas CCTV, shërbimi zjarrfikës lokal dërgoi mbi 230 efektivë në vendngjarje.