Vendosni fjalën kyçe....

Proda: Do të krijojmë në Tiranë, Akademinë e Policisë për Ballkanin Perëndimor


Në një takim të zhvilluar sot në Akademinë e Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, bëri të ditur se shumë shpejt në Tiranë do të krijohet Akademia e Policisë për Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo iniciativë vjen si realizim i një ideje të Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, z. Jurgen Stock.

Lajmi u konfirmua gjatë bisedës në zyrën e Rektorit të Akademisë, ku ishin të pranishëm përfaqësues të agjencive ligjzbatuese amerikane dhe të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

Kjo zhvillim vjen në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe të rolit të Shqipërisë si një qendër rajonale për trajnimin dhe edukimin policor në rajon.

Gjatë ceremonisë, Zëvendësdrejtori i Programit ICITAP të Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së, z. Steven Fields, dorëzoi zyrtarisht certifikatën e akreditimit për Kolegjin Profesional të Formimit Policor, një institucion që tashmë njihet nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimit të Agjencive të Zbatimit të Ligjit (IADLEST).

Kjo u vlerësua si një arritje madhore për arsimin policor në Shqipëri.

Proda siguroi përfaqësuesit amerikanë se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimet hetimore dhe operacionale me partnerët euroatlantikë, si dhe me të gjitha agjencitë ligjzbatuese vendase dhe ndërkombëtare, për të çuar përpara operacione me ndikim kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.