Presidenti rus Vladimir Putin udhëhoqi përkujtimet e Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës, në një ceremoni të shoqëruar nga masa të rrepta sigurie, pas disa ditësh sulmesh me dron nga Ukraina që synuan kryeqytetin rus.
Në fjalimin drejtuar ushtrisë, veteranëve dhe mbi 20 liderëve botërorë – mes tyre presidenti i Kinës Xi Jinping – Putin deklaroi se Rusia i qëndron vlerave të Luftës së Dytë Botërore dhe se “e vërteta dhe drejtësia janë në anën tonë”. Ai përsëriti pretendimin se e gjithë Rusia mbështet luftën në Ukrainë, të cilën e cilësoi sërish si një “operacion ushtarak special”, tashmë në vitin e katërt të tij.
Rusia shpalli një armëpushim të njëanshëm tre-ditor për të përkuar me 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste një veprim që Ukraina e hodhi poshtë si “shfaqje teatrale”. Pavarësisht njoftimit, forcat ukrainase raportuan mijëra sulme që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 8 maj, ndërsa Moska akuzoi Kievin për qindra shkelje.
Përpara kësaj periudhe, të dyja palët shkëmbyen një seri sulmesh intensive. Fluturimet në disa aeroporte të Rusisë u anuluan, duke bllokuar rreth 60 mijë pasagjerë, si pasojë e goditjeve me dron nga ana e Ukrainës.
Në Moskë, masat e sigurisë u forcuan ndjeshëm, ndërsa paradës iu bashkuan mbi 11,000 trupa të udhëhequr nga komandanti i forcave tokësore, Oleg Salyukov. Parakalimi u inspektua nga Ministri i ri i Mbrojtjes, Andrei Belousov. Mijëra ushtarë marshuan në Sheshin e Kuq përpara një demonstrimi të armëve më moderne të Rusisë.
Në mesin e udhëheqësve të pranishëm ishin presidenti i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva, presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Sllovakisë Robert Fico, ky i fundit, udhëheqësi i vetëm i një vendi të BE-së që mori pjesë në ceremoni, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së që i kërkuan liderëve evropianë të mos udhëtonin për në Moskë për shkak të luftës në Ukrainë.
Gjithashtu, morën pjesë kontingjente ushtarake nga Kina (me 102 ushtarë), Vietnami dhe Mongolia. Putin e cilësoi praninë e Xi Jinping si një arritje të rëndësishme dhe shprehu vlerësim për “popullin e guximshëm të Kinës”, ndërsa përkujtoi aleatët e Rusisë në Luftën e Dytë Botërore, raporton BBC.
Para paradës, Putin dhe Xi zhvilluan dy raunde bisedimesh, përfshirë një takim joformal për çështjen e Ukrainës, sipas mediave kineze.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar më parë se nuk mund të garantonte sigurinë e askujt që merrte pjesë në këtë ngjarje dhe u kishte kërkuar liderëve botërorë të mos udhëtonin për në Moskë.