Vendosni fjalën kyçe....

Ministri spanjoll: Vjedhja e kabllove që shkaktoi kaos në hekurudhë ishte “akt sabotimi”


Ministri i Transportit në Spanjë ka deklaruar se rrjeti hekurudhor i vendit ka qenë viktimë e një “akti serioz sabotimi”, pasi kabllo sinjalizimi u vodhën gjatë fundjavës së zënë me pushime zyrtare, duke shkaktuar vonesa të mëdha në shërbimet hekurudhore me shpejtësi të lartë mes Madridit dhe Seviljes, çka preku më shumë se 10 mijë udhëtarë.

Operatori shtetëror i hekurudhave, Renfe, tha se problemi në linjën që lidh kryeqytetin me rajonin jugor të Andaluzisë u shkaktua nga vjedhja e kabllove në katër pika të ndryshme në zonën e Toledos, në jug të Madridit, të dielën mbrëma.

Ndërsa Renfe dhe kompania e infrastrukturës hekurudhore Adif po punonin për rikthimin e shërbimeve, ministri i Transportit, Óscar Puente, deklaroi: “Kemi qenë viktima të një akti të rëndë sabotimi në linjën hekurudhore me shpejtësi të lartë mes Madridit dhe Seviljes”, duke shtuar se Guardia Civil po heton dhe ka kërkuar informacion nga publiku, përcjell The Guardian.

Në një intervistë për radion Cadena Ser të hënën në mëngjes, Puente tha se rrjeti ishte qëllimisht në shënjestër: “Kjo është një vjedhje me vlerë të ulët”, tha ai. “Kushdo që e ka bërë, ka ditur mirë çfarë po bënte – aty nuk ka kamera, dhe përfitimi financiar është i papërfillshëm krahasuar me dëmin e madh të shkaktuar.”

Ministri e cilësoi incidentin më shumë si “dëmtim” sesa si “vjedhje”, duke sqaruar se bëhej fjalë për 150 metra kabllo të vjedhur.

Presidenti i Renfe-s, Álvaro Fernández Heredia, shprehu gjithashtu dyshime mbi natyrën e vjedhjes: “Nuk është normale që të vidhen kabllo në katër pika të ndryshme dhe në të dyja drejtimet, brenda një dite”, tha ai për Radio Nacional de España. “Është e çuditshme dhe jam i sigurt se ministria dhe policia do ta hetojnë këtë çështje, sepse nuk kemi parë ndonjëherë një gjë të tillë.”

I pyetur nëse ndante vlerësimin e ministrit për një akt sabotimi, ai u përgjigj: “Po… vjedhja e kabllove të sinjalizimit, mbi të cilat mbështetet infrastruktura e sigurisë, është sabotim – edhe nëse është vetëm një vjedhje e thjeshtë – sepse përbën një sulm ndaj vetë infrastrukturës.”

Rreth orës 09:30 të së hënës, Renfe dhe Adif raportuan se linja Madrid-Sevilje ishte rihapur dhe shpresonin që shërbimet të riktheheshin në normalitet gjatë ditës.

Ndërkohë, në mëngjesin e së hënës, Alberto Valero dhe familja e tij, vizitorë nga Meksika, kishin kaluar disa orë në stacionin Atocha në Madrid, në pritje të trenit për Sevilje. “Këtu ka turistë nga kudo – Francë, Portugali”, tha Valero për Associated Press. “Të gjithë janë në një konfuzion të plotë dhe askush nuk di çfarë të bëjë.”

Vonesat ndodhën vetëm një javë pas ndërprerjes së paprecedentë të energjisë elektrike që preku Spanjën dhe Portugalinë, ngjarje për të cilën Partia Popullore (PP) në opozitë akuzoi qeverinë socialiste për paaftësi.

“Dy ngjarje në një javë, që janë më të zakonshme në vende që nuk duam t’u ngjajmë – vende ku qeveria ka harruar qytetarët e saj”, deklaruan burime nga PP.

Lideri i saj, Alberto Núñez Feijóo, tha se mijëra njerëz kishin mbetur të bllokuar gjatë natës në trena pa ujë.

“Ky është e hëna e dytë radhazi që shohim skena që nuk i përshtaten ekonomisë së katërt më të madhe të eurozonës”, tha ai. “Qytetarët nuk meritojnë të paguajnë më shumë taksa për shërbime më të këqija. Spanja duhet të funksionojë sërish – dhe ky është qëllimi im.”

Ndërkohë, ministrja e Mjedisit, Sara Aagesen, në një intervistë për El País të dielën, paralajmëroi se mund të duhen ditë për të zbuluar shkakun e ndërprerjes së energjisë. Ajo tha gjithashtu se ishte shumë herët për të fajësuar burimet e rinovueshme të energjisë.

“Të fajësosh energjinë e rinovueshme si shkak për ndërprerjen më duket e papërgjegjshme dhe e thjeshtuar”, tha Aagesen.

“E papërgjegjshme sepse po flasim për një burim që ka qenë pjesë e miksit tonë energjetik për një kohë të gjatë. Për më tepër, kemi pasur ditë me prodhim shumë të ngjashëm, madje edhe me kërkesë më të ulët – dhe sistemi ka funksionuar në mënyrë të përkryer.”