Kreu i Lëvizjes Bashkë denoncoi mbrëmjen e sotme se sondazhet për zgjedhjet e 11 majit shërbejnë për të fabrikuar të vërtetën dhe për të manipuluar qytetarët.
I ftuar në emisionin “Drejt” në Ora News, Qori solli si shembull zgjedhjet për bashkinë Tiranë 2 vite me parë ku ishte një nga kandidatët, ku mori katërfishin e votave që i jepnin sondazhet.
“Ata që thonë se problemi i vetëm janë Edi Rama dhe Sali Berisha dhe jo partnerët e tyre oligarkë, duan të manipulojnë publikun. Duan të zëvendësojnë një palë me një palë tjetër. Na ka surprizuar mbështetja e njerëzve. Në Shqipëri sondazhet nuk bëhet për të treguar realitetin po për të fabrikuar realitetin. Jemi e vetmja parti që nuk hedhim para për sondazhe. Në zgjedhjet për kryebashkiak sondazhet më jepnin mua si 1 deri në 2 për qind, ndërkohë unë mora 4.8 për qind. Sot kemi më shumë njerëz, më shumë aktivistë, më shumë donacione, më shumë shikueshmëri, më shumë përkrahje.” – tha Qori.
Kreu i Lëvizjes Bashkë shtoi se është surprizuar nga mbështetja e madhe që u kanë dhënë qytetarët kandidatëve kandidatëve të forcës politike që drejton.
Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesin e emisionit Luan Rama, Qori tha se lëvizja është partia e vërtetë, e njerëzve të vërtetë ndërsa ironizoi partitë e mëdha se i kanë vjedhur pjesë të programit.
“Në këtë kontekst elektoral i dhamë rëndësi komunikimit, shpalosjen e ideve tona te qytetarët. Shkoj përditë në takime me qytetarët, shkojmë kudo. Në 100 veta që mund të takojmë, vetëm një mund të na thotë plaç. Ata kanë mendimet e tyre, edhe na kundërshtojnë por kanë respekt për ne. Se jemi të vërtetë. Jemi parti njerëzish të vërtetë dhe për këtë arsye na respektojnë. Më gëzon fakti që programin tonë e kanë vjedhur, përçudnuar partitë e mëdha dhe të tjerat. Në vitin 2021 kemi mbledhur 22 mijë firma për çështjen e minimumit jetik. Në nëntor të vitit të shkuar, Edi Rama m’u drejtua si Sude me gjyslyke për çështjen e pensionit 200 mijë lekë të vjetra. Sot PS-ja e ka marrë këtë dhe e ka futur në programin e vet, minimumin jetik dhe pensionin 200 mijë lek.” – tha Qori.
