Numri i foshnjave të lindura në BE ra 5.4%, në 3.67 milionë në 2023, rënia më e madhe në dekada, treguan të dhënat zyrtare, duke nënvizuar çështjet demografike të bllokut.
Shkalla e lindshmërisë në 27 vendet e BE-së ishte 1.38 lindje të gjalla për grua, nga 1.46 në 2022 dhe shumë nën “nivelin e zëvendësimit” 2.1, në të cilin një popullsi është e qëndrueshme.
“Kjo është rënia më e madhe vjetore e regjistruar, që nga viti 1961”, viti i parë për të cilin disponohen të dhëna të përgjithshme në mbarë BE-në, tha Eurostat.
Lindjet kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme në Europë që nga mesi i viteve 1960, duke regjistruar vetëm rikuperime modeste të rastësishme gjatë 20 viteve të fundit. Si pasojë, popullsia e bllokut po plaket me shpejtësi dhe disa vende përballen me mungesë të fuqisë punëtore, në një kohë kur fitoret e partive të djathta në disa vende, kanë shtyrë shumë qeveri të ndalojnë ose kundërshtojnë emigracionin.
Në vitin 1964, një rekord 6.8 milionë fëmijë lindën në bllok, pothuajse dy herë më shumë se në vitin 2023, sipas Eurostat. Bullgaria raportoi shkallën më të lartë të lindshmërisë totale 1.81 në BE në vitin 2023, e ndjekur nga Franca me 1.66 dhe Hungaria me 1.55.
Në anën tjetër të shkallës ishte Malta, me 1.06 lindje për grua, pasuar nga Spanja me 1.12 dhe Lituania me 1.18.
Mosha mesatare në të cilën gratë kanë fëmijën e parë vazhdoi të rritet, duke qëndruar në 29.8 vjeç, nga 28.8 në 2013, tha Eurostat. Pavarësisht regjistrimit të më shumë vdekjeve sesa lindjeve, popullsia totale e BE-së u rrit me 1.6 milionë në 449.2 milionë njerëz në vitin 2023, si rezultat i emigracionit.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.