Zëvendëspresidenti amerian Vance u takua të premten me kreun e partisë së djathtë gjermane AfD.
Pas një fjalimi me kritika të forta ndaj krerëve të BE-së dhe atyre të partive tradicionale gjermane, Vance u takua me udhëheqësen e AfD Alice Weidel për rreth 30 minuta, ku të dy diskutuan luftën në Ukrainë dhe politikën e brendshme gjermane, tha një zëdhënës i zyrës së Weidel. Zëvendëspresidenti u takua gjithashtu me presidentin gjerman Frank-Ëalter Steinmeier dhe kandidatin e CDU-së për kancelar Friedrich Merz.
Më herët ai kritikoi të premten “murin mbrojtës” të partive tradicionale në Gjermani për të mos bashkëpunuar me partinë e djathtë AfD.
“Ajo që do bënte që asnjë demokraci në SHBA, Gjermani apo Evropë të mos mbijetonte do ishte t’u thuash miliona votuesve se mendimet dhe shqetësimet e tyre, dëshirat e tyre, lutjet e tyre, janë të pavlefshme dhe të padenja për t’u marrë në konsideratë,” tha Vance.
“Demokracia mbështetet në parimin e shenjtë se zëri i popullit ka rëndësi. Nuk ka vend për mure.”
Vance i krahasoi udhëheqësit e sotëm evropianë të zgjedhur me tiranët që udhëhoqën pjesë të kontinentit gjatë Luftës së Ftohtë.
Ai kritikoi fort anulimin e zgjedhjeve presidenciale në Rumani pas fitores së kandidatit të djathtë Calin Georgescu. Gjykata Kushtetuese të Rumanisë i anuloi zgjedhjet presidenciale të vendit vitin e kaluar, pasi shërbimi i saj i inteligjencës pretendoi se zbuloi një fushatë “të bashkërenduar nga një aktor shtetëror” për të ndihmuar në zgjedhjen e Calin Georgescu, një ultranacionalist praktikisht i panjohur përpara zgjedhjeve.
“Kur shohim gjykatat evropiane që anulojnë zgjedhjet dhe zyrtarët e lartë që kërcënojnë të anulojnë të tjerat, ne duhet të pyesim nëse po e mbajmë veten në një standard të lartë që kërkohet”, tha Vance.
Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë të Gjermanisë, e cila ka fituar mbështetjene administratës Trump, veçanërisht të Elon Musk, ka tani për tani 21% mbështetje para zgjedhjeve të 23 shkurtit, gjë që do ta bënte partinë forcën e dytë më të madhe politike në Gjermani dhe partinë e parë të ekstremit të djathtë që mban një pozicion të tillë që nga Lufta e Dytë Botërore.