Konferenca vjetore e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP29, ka nisur sot në Baku, Azerbajxhan, duke sjellë së bashku liderë nga rreth 200 vende për dy javë diskutime të rëndësishme mbi të ardhmen e klimës globale.
COP29 po mbahet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, një vend i njohur për prodhimin e naftës.
Delegatët do të diskutojnë mbi mënyrat për të kufizuar dhe përgatitur vendet ndaj ndryshimeve klimatike në të ardhmen.
Fokusi kryesor do të jetë përcaktimi i planeve të vendeve për të kufizuar rritjen globale të temperaturës brenda kufirit të 1.5°C, siç u përcaktua në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, përcjelll BBC.
Mukhtar Babayev sapo është zgjedhur president i COP29, është një formalitet, por do të thotë se ai tani është përgjegjës për të siguruar një marrëveshje në dy javët e ardhshme.
Një ish-ekzekutiv i naftës, ai kaloi 26 vjet në kompaninë shtetërore të naftës dhe gazit të Azerbajxhanit Socar. Tani ai është ministër i vendit për ekologjinë dhe burimet natyrore.
Kjo konferencë vjen në një moment kritik, pasi viti 2024 pritet të jetë më i nxehti në histori. Ekspertët paralajmërojnë se për herë të parë, temperaturat globale mund të kenë tejkaluar pragun prej 1.5°C, duke vënë në pikëpyetje objektivat e vendosura nga Marrëveshja e Parisit.
Përplasja mes klimës dhe politikës
Azerbajxhani, i drejtuar nga Presidenti Ilham Aliyev që nga viti 2003, është një shtet ku prodhimi i naftës luan një rol qendror në ekonominë kombëtare.
Qeverisja e Aliyevit është kritikuar shpesh nga vëzhgues perëndimorë për mungesë të standardeve demokratike, me zgjedhjet e tij të fundit në vitin 2018 që nuk arritën të plotësonin standardet ndërkombëtare.
COP29 pritet të përballet me sfidën e balancimit të ndërhyrjeve klimatike me interesat ekonomike të vendeve të varura nga industria e karburanteve fosile.
Konferenca do të ofrojë gjithashtu një platformë për vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim që të diskutojnë mbi financimin për t’i ndihmuar vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.
