Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i vendit afrikan qëllohet me thikë


Presidenti i vendit afrikan Komoros Azali Assoumani është “plagosur lehtë” në një sulm me thikë gjatë funeralit të një drejtuesi fetar në Salimani, një qytet jashtë kryeqytetit Moroni, sipas autoriteteve.

Atentati u krye nga një oficer policie 24-vjeçar, i cili u arrestua dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij të nesërmen, raportoi Reuters, duke cituar zyrtarë vendas.

Zyra e Presidentit Azali tha se plagët e tij ishin “jo serioze” dhe se ai ishte kthyer në shtëpi.

Megjithatë, Ali Mohamed Djounaid, prokurori publik i Komoros, u tha gazetarëve të shtunën se i dyshuari, Ahmed Abdou, ishte gjetur “i pajetë” në qeli.

“Kur hetuesit shkuan për ta parë, e gjetën të shtrirë në tokë, trupi i tij ishte i pajetë,” tha Djounaid në një konferencë shtypi në Moroni.

“Një mjek e shpalli të vdekur”, tha ai, duke shtuar se një hetim ishte nisur për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij dhe motivin pas sulmit.

Ministri i Energjisë së Komorosit, Aboubacar Said Anli u tha gjithashtu gazetarëve se “presidenti po ecën mirë. Ai nuk ka probleme shëndetësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.”

Një civil u plagos gjithashtu gjatë sulmit ndërsa po përpiqej të mbronte presidentin, citoi AP të ketë thënë ministri.

Azali Assoumani, 65 vjeç, fitoi një mandat të katërt si president i Komoros pasi mori 62.97% të votave në zgjedhjet e diskutueshme në janar. Kundërshtarët e tij e akuzuan atë për manipulim të kutive të votimit dhe përdorimin e ushtrisë për të frikësuar votuesit. Protesta, përleshje dhe zjarrvënie shpërthyen në Moroni pas rizgjedhjes së presidentit, me demonstruesit që bllokuan rrugët dhe plaçkitën shtëpinë e një ish-ministri, duke pretenduar se votimi ishte manipuluar.

Ish-oficeri ushtarak erdhi për herë të parë në pushtet me një grusht shteti në vitin 1999. Ai u zgjodh president në vitin 2002 dhe shërbeu vetëm një mandat. Ai u kthye në presidencë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe fitoi përsëri në 2019 me 60% të votave, më shumë se 50% e nevojshme për të shmangur balotazhin.

Që nga pavarësia e saj nga Franca në vitin 1975, Komoros, një arkipelag ishujsh jashtë bregut lindor të Afrikës, ka përjetuar më shumë se një duzinë grushte shteti.