Vendosni fjalën kyçe....

Kina e India në kurs të fortë përplasjeje, si u zbeh “dashuria” mes Modit e Xi-së


Narendra Modi dikur i kishte sytë nga  Kina. Si një udhëheqës indian shteti miqësor ndaj biznesit, ai udhëtoi atje vazhdimisht për të tërhequr investime dhe për të parë se si vendi i tij mund të mësonte nga shndërrimi ekonomik i fqinjit të tij. Kina, tha ai, ka një “vend të veçantë në zemrën time”. Zyrtarët kinezë e brohoritën marshimin e tij drejt pushtetit si atë të “një ylli politik”.

Por jo shumë kohë pasi Modi u bë kryeministër në vitin 2014, Kina e bëri të qartë se marrëdhënia nuk do ishte aq e lehtë. Ndërkohë që ai po festonte ditëlindjen e tij të 63-të duke pritur liderin e Kinës, Xi Jinping, madje i ulur në një ndjenjëse me të në një park buzë lumit, qindra ushtarë kinezë po ndërhynin në territorin e Indisë në Himalaje, duke ndezur një përplasje të ashpër disajavore.

Një dhjetëvjeçar më vonë, lidhjet midis dy kombeve më të populluara në botë janë thyer pothuajse plotësisht. Sulmet e vijueshme kufitare u ndezën në një përplasje të egër në vitin 2020 që kërcënoi të çonte në luftë gjithëpërfshirëse. Modi, një njeri i fortë që kontrollon çdo levë pushteti në Indi dhe ka zgjeruar marrëdhëniet e tij me shumë vende të tjera, shfaqet jashtëzakonisht i pafuqishëm përballë thyerjes me Kinën.

Ndërsa Modi kërkon një mandat të tretë në zgjedhjet që nisin të premten, tensionet rëndojnë shumë mbi narrativën gjithëpërfshirëse të fushatës së tij: se ai po e bën Indinë një fuqi të madhe globale dhe, si rrjedhojë, po rikthen krenarinë kombëtare. Larg kufirit prej 2100 miljesh, përgjatë çdo rruge ku India kërkon të zgjerohet, Kina duket një konkurrente e ashpër.

Në oborrin e pasëm të Indisë në Azinë Jugore, Kina ka përdorur burimet e saj të mëdha – frytet e reformave ekonomike të prezantuara dhjetëvjeçarë para Indisë – për të sfiduar epërsinë indiane, duke u ballafaquar me partnerët përmes marrëveshjeve të infrastrukturës dhe për të fituar qasje në portet strategjike.

Më gjerësisht, Kina dhe India po konkurrojnë për të udhëhequr vendet në zhvillim të të ashtuquajturit jug global. Kur India priti samitin e Grupit 20 vitin e kaluar, duke e përdorur atë për të shfaqur mbështetjen e saj për vendet më të varfra, Xi e anashkaloi ngjarjen. Kina ka qenë gjithashtu një pengesë kryesore në fushatën e Indisë për të fituar një vend të përhershëm të lakmuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Sot, ju shihni një Indi që ndoshta nuk e kishit parë kurrë më parë, në shumë kuptime,” tha Nirupama Menon Rao, një ish-ambasador indian në Kinë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Unë mendoj se kinezët janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për këtë dhe ata ende do donin të na rrëzonin, për të vendosur pengesa.”

Shkëputja e Indisë me Kinën ka ofruar një hapje për vendet perëndimore për të zgjeruar lidhjet e mbrojtjes dhe ato ekonomike me Nju Delhi, një zhvillim shqetësues për Pekinin.

India nënshkroi një sërë marrëveshjesh me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar për të forcuar bashkëpunimin ushtarak. India është afruar gjithashtu me dy anëtarët e tjerë të të ashtuquajturit “Quad”, Australia dhe Japonia, ndërsa grupi punon për të kundërshtuar projeksionin e Kinës për fuqi.

Përveç kësaj, India sheh një mundësi pasi Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kërkojnë alternativa ndaj Kinës si një vend për të prodhuar mallrat e tyre. Një sukses i hershëm ka qenë rritja e ndjeshme e prodhimit të iPhone në Indi.

Por edhe me këto hapje, Kina vijon të ekspozojë pasiguritë indiane. Ekonomia kineze është rreth pesë herë më e madhe se ajo e Indisë dhe Kina mbetet partneri i dytë më i madh tregtar i Indisë (pas Shteteve të Bashkuara), duke eksportuar rreth gjashtë herë më shumë në Indi sesa importon. Kina shpenzon më shumë se trefishin e Indisë për ushtrinë, duke u dhënë forcave të saj një përparësi të rëndësishme në tokë, det dhe ajër.

Ushtria indiane, e cila është përpjekur prej kohësh për t’u modernizuar, tani është e detyruar të jetë gati për luftë në dy fronte, me Kinën në lindje dhe Pakistanin në perëndim të saj.

Dhjetëra mijëra trupa nga India dhe Kina qëndrojnë në një bazë lufte në Himalaje, katër vjet pasi përleshjet vdekjeprurëse shpërthyen në rajonin e diskutueshëm Lindor të Ladakhut, ku dy vendet kanë ndërtuar praninë e tyre ushtarake. Dhjetërsa ture bisedimesh nuk kanë arritur të sjellin asnjë qetësi.

Megjithëse opozita politike është përpjekur ta përshkruajë Modin si të dobët përballë ndërhyrjes kineze, sulmet kufitare nuk ka gjasa ta dëmtojnë atë politikisht, duke pasur parasysh mungesën e mbulimit të lajmeve nga media indiane.

Megjithatë, Modit i është dashur t’i japë përparësi miliarda dollarëve për infrastrukturën kufitare dhe përmirësimet ushtarake, ndërsa India ende lufton për të mbuluar nevojat bazë të 1.4 miliardë njerëzve të saj. Qeveria e tij po harton plane për të ripopulluar qindra fshatra kufitare si një linjë e dytë e mbrojtjes kundër kërcënimit të vijueshëm të ndërhyrjes kineze.

Jaishankar, ministri i Jashtëm i Indisë, pranoi kohët e fundit se nuk kishte “përgjigje të lehta” për dilemën e paraqitur nga fqinji agresiv i Indisë.

“Ata po ndryshojnë, ne po ndryshojmë,” tha Jaishankar.

“Si ta gjejmë një ekuilibër?”

Në një libër të botuar në vitin 2020, pasi kishte marrë detyrën si arkitekti i besuar i politikës së jashtme të  Modit, Jaishankar shkroi se tensionet mes SHBA-së dhe Kinës i hapën rrugën skenës e një bote “të gjithë kundër të gjithëve”.

Ambiciet e Indisë si një fuqi e madhe, shkroi ai, do kërkonin një lloj zhonglimi: “Merruni me SHBA-në, menaxhoni Kinën, kultivoni Evropën, siguroni Rusinë”.

Ngritja e Indisë si një ekonomi e madhe dhe në rritje e ka lejuar atë të mbajë terrenin – duke punuar me çdo partner nga i cili mund të përfitojë – në një botë të polarizuar dhe të pasigurt.

Edhe pse India ka zgjeruar lidhjet e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara dhe ka dyfishuar tregtinë dypalëshe gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, në rreth 130 miliardë dollarë vetëm në mallra, ajo i ka rezistuar presionit amerikan për të rishqyrtuar marrëdhëniet e saj të forta me Rusinë. India ka thelluar lidhjet me Evropën dhe Lindjen e Mesme gjithashtu; vetëm tregtia me Emiratet e Bashkuara Arabe ka arritur në 85 miliardë dollarë.

Ndërsa India mbetet e kujdesshme për t’u kthyer në peng në luftën e Perëndimit me Pekinin ndërkohë që nuk e ka harruar historinë e saj të ftohtë me Shtetet e Bashkuara, Kina është bërë një fokus i pashmangshëm pasi është një kërcënim dytësor për pjesën më të madhe të historisë moderne indiane.

Kryeministri themelues socialist i Indisë po përpiqej të mos ia prishte qejfin Kinës komuniste, por shpirtmirësia u shkatërrua nga një luftë mujore në vitin 1962 që la mijëra të vdekur. Marrëdhëniet filluan të normalizohen në vitet 1980 edhe pse sulmet vijuan dhe kanalet e hapura të komunikimit ulën tensionet dhe rritën tregtinë.

“Ishte një Kinë ndryshe,” tha Rao, ish-diplomate e lartë.

Gjendja ndryshoi në vitet para se Modi të merrte detyrën, tha ajo. Ndërsa ekonomia e saj u rrit, Kina filloi të tregonte muskujt – duke investuar shumë në nismën e saj të infrastrukturës “Brez dhe Rrugë”, të cilën India e shihte si kërcënuese për sigurinë dhe sferat e saj të ndikimit, dhe duke lëvizur më agresivisht në kufijtë e saj dhe në Oqeanin Indian.

Megjithatë, Modi, i futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara kur ishte kreu shtetëror për rolin e tij në trazirat e përgjakshme fetare, vijoi t’i shtrijë dorën Pekinit. Si kryeministër, ai nuk lejoi që turpi i sulmit kinez në vitin 2014 të zbehte mirëpritjen e tij në tapetin e kuq ndaj Xi-së.

Mesazhi i tij i brishtë – një paralajmërim se “një dhimbje e vogël dhëmbi mund të paralizojë të gjithë trupin” – mbartte shpresën se Xi do ndërgjegjësohej.

Kjo shpresë përfundoi me përplasjen vdekjeprurëse të vitit 2020 në Ladakh-un Lindor. Tani, është e qartë se Nju Delhi është tërhequr ndaj një kërcënimi afatgjatë nga Kina, një ndryshim i dukshëm në shtytjen e Modit për ndërtimin e rrugëve dhe tuneleve në zonat kufitare për të mbështetur një prani të madhe trupash.

Gjatë pesë viteve të fundit, më shumë se 2200 milje rrugë janë ndërtuar përgjatë kufirit. Në rajonin e Kashmirit, mbi 2,000 punëtorë kanë qenë të zënë për tre vjet duke gërmuar një tunel në lartësi të madhe që do përmirësojë lidhjen me Ladakh.

Kur projekti i tunelit, që do kushtojë më shumë se 850 milionë dollarë, të përfundojë, ai do sigurojë që trafiku të lëvizë gjatë gjithë vitit dhe të pakësojë kohën e udhëtimit me disa orë.

“Për katër muaj, furnizimet për Ushtrinë Indiane u ndërprenë sepse rruga do mbyllej,” tha Harpal Singh, kreu i projektit.

“Pasi të përfundojë ky tunel, kjo nuk do ndodhë më.”

Qeveria e Modit po përpiqet gjithashtu të ringjallë qindra fshatra përgjatë kufirit për të forcuar mbrojtjen.

Nëpërmjet një programi të quajtur ‘Fshatrat Vibrantë’, qeveria po punon për të zhvilluar infrastrukturën, për të zgjeruar shërbimet dhe për të ushqyer turizmin me shpresën për të rikthyer emigrimin ekonomik që krijoi “fshatrat fantazmë”.

“Atë që India mund të kishte bërë në 20 vitet e fundit, duhet ta bëjë tani në dy  vite,” tha Sonam Murup, një officer në pension i ushtrisë indiane nga Ladakh, duke iu referuar zhvillimit të infrastrukturës në zonën e tij.

“Gjendja jonë është shumë më e mirë tani,” tha ai.

“Por kur shikoni nga ana kineze, mund të shihni fshatra plot me drita.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani