Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i drejtorëve të Bashkisë, Veliaj: Nuk kam pasur asnjë indicie për ta, t’i hetojë drejtësia


Kryebashkiaku i Tiranës në disa dalje publike zgjodhi të mos japë koment për arrestimet nga SPAK për drejtorë të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës por u tregua mirënjohës për punën e gjithsecilit prej tyre për punën e bërë për transformimin e kryeqytetit.

Në mbrëmjen e sotme në emisionin Top Story të drejtuar nga Grida Duma, Veliaj foli për herë të parë rreth kësaj çështjeje.

Ai u shpreh se pasi ka dalë nga spitali ka mësuar për atë që kishte ndodhur, ndërsa tha se në 11 mijë veta staf në bashki, nuk mund të ketë edhe njerëz që kanë probleme me drejtësinë.

“Ka një procedurë si kompanitë garojnë, dhe në 1 mijë gara, apo 11 mijë veta staf në bashki, ka një probabilitet që të ketë probleme. Pas çdo sfide ka një oportunitet.

Kur dola nga spitali zbulova problemin që kishte organizata ime. Në 1 mijë procedura që ka bashkia, fakti që sot edhe për 1% jo vetëm që nuk i bëhet rezistencë, por shkresat në Prokurori cohën vetë nga bashkia, çdo gjë që i kërkon Prokuroria.

I njoh dhe i kam bashkëpunëtor, kemi bërë punë të jashtëzakonshme bashkë, Taulanti ka bërë 40 shkolla në Tiranë…”, tha ai.

Gjithashtu Veliaj u pyet se nëse është marrë në pyetje nga SPAK-u lidhur me arrestimin e disa zyrtarëve të bashkisë së kryeqytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u përgjigj se ende nuk është thirrur por është i hapur të bashkëpunojë me drejtësinë kurdoherë që do ta thërrasin.

“Kurdo që më thërrasin, jam i gatshëm. Askush nuk më pyeti. SPAK është organizatë shtetërore, patjetër do shkoj. Nuk më kanë thërritur, nëse më thërrasin patjetër që do shkoja se është i shtetit tim” – tha Veliaj.

Gjatë intervistës Veliaj u shpreh se drejtësia duhet të bëjë punën e saj, dhe se sa kohë sistemi i auditimit i bashkisë nuk i ka kapur këtë gabime, atëherë ka lindur nevoja që t’i kapë një tjetër sistem.

Sa kohë që ky sistem nuk e ka kapur, ka lindur nevoja që ta kapë një sistem tjetër”, tha ai.

Më tej ai foli edhe për protestën e organizuar nga opozita jashtë dyerve të bashkisë.

“Ti mjafton të shikosh se kush protestoi para bashkisë, Ilir Meta dhe partiçka e tij. Të dalë Ilir Meta dhe të protestojë kundër korrupsionit, është tamam ajo me historia me breshkën.

Të dalë Argita Berisha dhe të thotë SPAK-u qenka shumë i mirë, kur arreston 2 vetë nga 11700 punonjës të bashkisë. Ndërkohë që SPAK-u është shumë i keq kur arreston babin e vet.

Jam duke folur për ata 100 vetë që ishin poshtë bashkisë dhe raporti që kanë me drejtësinë. Raporti që kanë ata është që kur babi dhe kur burri arrestohet, SPAK-u, Altin Dumani, që tani i vënë nofka, është shumë i keq, kur bën këta të bashkisë është shumë i mirë”, u shpreh Veliaj.

Sa i përket akuzave të opozitës, pas mesazhit të tij lidhur me këtë ngjarje, se i dha mesazhe me kode kryeministrit, Veliaj u shpreh: “Ne mund të kemi debate si do jetë një projekt, por te kjo gjë, unë i qëndroj fjalë e presje kryeministrit, opozita do t’i bëjë gjunjët me kalla që një ditë unë të kem konflikt me Edi Ramën, por nuk besoj se do vijë. Ne nuk kemi avokati. Edhe njeriu më i afërt që ka probleme me drejtësinë, t’i zgjidhë me drejtësinë.”