Vendosni fjalën kyçe....

Policia: Sekuestruam mbi 1 kg kokainë, arrestuam drejtuesin e mjetit që i iku operacionales


Policia e Shtetit ka dhënë informacion për operacionin e zhvilluar ditën e sotme ku një drejtues automjeti nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u largua me shpejtësi në të cilin u përfshinë edhe në një situatë me gazetarin e News 24.

Policia thotë se po zhvillonte një operacion anti-drogë gjatë të cilit u sekuestruan mbi 1 kg kokainë.

Ndërsa drejtuesi i mjetit që i iku efektivëve të operacionales është ndaluar nga postoblloku i ngritur dhe ndjekja e policisë.

Drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia dhe shoqëruar në polici.

Ndërsa për gazetarin e ndaluar Policia thotë se është duke u verifikuar respektimi i proceduarve nga ndjekja e policisë.

Njoftimi i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi  i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.

Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.

Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV News 24, z.Ergys Gjençaj.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediat të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët.