Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Mbështetja jonë për SPAK s’është propagandë


Në reagimin e tij për arrestimet e ish-zyrtarëve të bashkisë së Tiranës, kryeministri Edi Rama theksoi se mbështetja e partisë që ai drejton për SPAK nuk është propagandë, por vullnet i hekurt politik.

Kreu i qeverisë tha se këto goditje janë një ndihmë e paçmuar në luftën kundër korrupsionit.

Ai nënvizoi se goditjet e Prokurorisë së Posaçme ndaj kujtdo në radhët e ekzekutivit apo qeverisjes, që ka shkelur ligjin apo ka tradhëtuar “misionin”, nuk përjetohen si gjëma.

“Por ky i sotmi është përsëri rasti për të thënë me zë të lartë, se mbështetja jonë për SPAK-un nuk është propagandë, po vullnet i hekurt politik; qëndrimi ynë pa koment, sa herë SPAK-u godet brenda strukturave të ekzekutivit në çdo nivel, nuk është strukje, as frikë, po shprehje shembullore e vijës së kuqe mes nesh, partisë që qeveris e udhëheq Reformën në Drejtësi dhe Drejtësisë së Re që ka të gjithë mbështetjen tonë.

Goditjet e SPAK-ut ndaj kujtdqoftë në radhët e ekzekutivit, në çdo nivel të qeverisjes, që ka shkelur ligjin dhe ka tradhëtuar misionin tonë në shërbim të këtij vendi e të këtij populli, ne nuk i përjetojmë si gjëma, as si fajësi kolektive, po si një ndihmë të paçmuar në një luftë kundër korrupsionit, të cilën deri dje nuk e bënim dot sa e si duhej, pikërisht sepse mungonte krahu i drejtësisë së pavarur”, u shpreh Rama në rrjetin social X.