Vendosni fjalën kyçe....

Meta takon kreun e KMSH-së: Të ruhen vlerat, komuniteteve fetare t’u kthehen pronat


Sot, Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e rizgjedhur të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Bujar Spahiu, ku e uroi për Muajin e Madhërishëm të Ramazanit me urime të përzemërta.

Në këtë takim, Meta përgëzoi zotin Spahiu për rizgjedhjen në këtë detyrë të rëndësishme dhe shprehu vlerësimin për kontributin e jashtëzakonshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend.

Ai theksoi se ky komunitet ka qenë një faktor stabiliteti dhe paqeje në shoqërinë shqiptare, duke e vlerësuar si një sy balli për të gjithë.

Meta gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjitha bashkësive fetare në forcimin e vlerave kombëtare dhe në luftën kundër shpopullimit, drogës dhe kriminalitetit që dëmtojnë kohezionin social dhe familjet. Ai bëri thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për kthimin e pronave bashkësive fetare dhe kompensimin e tyre sa më parë.

Zhvillova sot një takim të ngrohtë me Kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Bujar Spahiu, me të cilin ndava urimet më të përzemërta për Muajin e Madhërishëm të Ramazanit.

E përgëzova z.Spahiu për rizgjedhjen në këtë detyrë të rëndësishme dhe i shpreha vlerësimin tim për rolin e shquar të Komunitetit Mysliman Shqiptar, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend, si dhe në forcimin e shtetit tonë.

Vlerësova faktin se Komuniteti Mysliman Shqiptar tradicionalisht ka qenë faktor stabiliteti, paqeje e mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare, vlera të cilat duhen ruajtur si sytë e ballit.

Komuniteti Mysliman Shqiptar, ashtu edhe të gjitha bashkësitë fetare në vend, kanë një rol të jashtëzakonshëm për forcimin e vlerave kombëtare, ndalimin e shpopullimit, mbajtjen e rinisë larg veseve, drogës dhe kriminalitetit, që  dëmtojnë kohezionin social dhe shkatërrojnë familje dhe jetë njërëzish.

Të intensifikohen përpjekjet për të bërë të mundur kthimin e pronave bashkësive fetare dhe kompensimin e tyre sa më parë.

Në Muajin e Madhërishëm të Ramazanit u bashkohem lutjeve për agjërim të lehtë dhe të pranuar, për bekime, shëndet dhe lumturi në çdo familje shqiptare!”-shkruan Meta.