Vendosni fjalën kyçe....

Përdorimi i lehtë i marijuanës lidhet me rrezik të shtuar për sëmundjet e zemrës – Studimi


Një studim i ri zbulon se edhe përdorimi relativisht i rrallë i kanabisit lidhet me rreziqe më të larta për të pasur një atak në zemër ose goditje në tru.

Hulumtimi në shkallë të gjerë paraqet disa prova në lidhje me ndikimin e marijuanës në shëndetin kardiovaskular, shkruan The Epoch Times.

Përdorimi i kanabisit lidhet me një rrezik në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare, madje edhe në mesin e jo duhanpirësve, sipas një studimi të ri të botuar në Journal of the American Heart Association.

Hulumtimet e mëparshme kishin lidhur përdorimin e marijuanës me rrezikun e sëmundjeve të zemrës, por këto gjetje shpesh u hodhën poshtë sepse shumë pjesëmarrës pinin duhan, i cili ka qenë prej kohësh i lidhur me çështje të ndryshme kardiovaskulare.

Në studimin e ri, studiuesit analizuan të dhënat nga mbi 434,000 pacientë të moshës 18 deri në 74 vjeç, të mbledhura midis 2016 dhe 2020 nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA.

Megjithatë, studiuesit nuk krahasuan në mënyrë specifike rreziqet e pirjes së marijuanës kundrejt konsumimit të ushqimeve.

25 përqind më i lartë rreziku për atak në zemër, 42 përqind rrezik më i madh për goditje në tru

Studimi zbuloi se krahasuar me ata që nuk përdorën kurrë marijuanë, përdoruesit e përditshëm të kanabisit kishin 25 për qind më shumë gjasa për atak në zemër dhe 42 për qind më shumë rrezik për të përjetuar goditje në tru.

Në mesin e të rriturve në rrezik për sëmundje të parakohshme kardiovaskulare (të përcaktuara si burra nën 55 vjeç dhe gra nën 65 vjeç), përdorimi i kanabisit u shoqërua ndjeshëm me gati 40 për qind mundësi më të larta të kombinuara, për sëmundje koronare të zemrës, sulm në zemër dhe goditje në tru, pavarësisht nëse përdornin duhan tradicional apo jo.

Studiuesit kryen një analizë të veçantë të një nëngrupi më të vogël të të rriturve që nuk pinë duhan ose nuk përdornin cigare elektronike me nikotinë dhe megjithatë gjetën një lidhje të rëndësishme midis përdorimit të kanabisit dhe një rreziku të kombinuar në rritje të zhvillimit të sëmundjeve koronare të zemrës, duke përfshirë atakun në zemër dhe goditjen në tru.

“Tymi i kanabisit nuk është aq i ndryshëm nga tymi i duhanit, përveç drogës psikoaktive: THC kundër nikotinës”, tha në një deklaratë për shtyp Abra Jeffers, një analiste e të dhënave në Spitalin e Përgjithshëm Massachusetts në Boston dhe autore kryesore e studimit.

Studimi tregon se pirja e kanabisit ka rreziqe të konsiderueshme kardiovaskulare, ashtu si pirja e duhanit, vuri në dukje ajo.

“Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse përdorimi i kanabisit po rritet dhe përdorimi konvencional i duhanit po zvogëlohet.”

Veçanërisht, pjesëmarrësit që raportuan përdorimin e marijuanës vetëm një herë në javë shfaqën rreth 3 për qind më shumë gjasa për të pasur një atak në zemër ose goditje në tru gjatë periudhës së studimit.

Megjithatë, studimi nuk ishte krijuar për të përcaktuar nëse përdorimi i marijuanës shkaktoi drejtpërdrejt këtë rritje të rrezikut.

Një Anketë Kombëtare e vitit 2019 mbi Përdorimin e Drogës dhe Shëndetin  nga SAMHSA zbuloi se më shumë se 48 milionë njerëz të moshës 12 vjeç e lart raportuan se kishin përdorur kanabis të paktën një herë, krahasuar me vetëm 25.8 milionë njerëz në atë grup moshe në 2002 – një rritje nga 11 përqind në 17 përqind.

Ekzistojnë gjithashtu prova që kjo prirje drejt legalizimit ka çuar në një numër në rritje të njerëzve që jetojnë me varësi.

Të dhënat e fundit tregojnë një rritje të konsiderueshme të përdorimit të kanabisit. Në vitin 2007, afërsisht 10 për qind e njerëzve përdornin kanabis, por deri në vitin 2022, kjo shifër ishte më shumë se dyfishuar në 22 për qind, sipas SAMHSA.