Vendosni fjalën kyçe....

Trump “gjen” kandidatin për zëvendëspresident


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do e konsideronte “shumë” guvernatorin e Teksasit, Greg Abbott, si kandidatin e tij për zv.president për zgjedhjet presidenciale të këtij viti. Kandidati republikan tha se Abbott “ka bërë një punë të madhe” në sigurimin e kufirit SHBA-Meksikë.

Trump dhe Abbott u takuan në Eagle Pass, Teksas, të enjten, me Trump-in që vizitoi një pjesë të kufirit që është fortifikuar shumë nga Abbott që nga viti 2021.

Pavarësisht se Gjykata e Lartë e SHBA-së mbështet Shtëpinë e Bardhë dhe i lejon agjentët federalë të heqin gardhin me tela me gjemba përgjatë kufirit, Abbott është zotuar të ndërtojë më shumë barrikada dhe guvernatori e kundërshtoi Presidentin Joe Biden për t’u takuar me rivalin e tij kryesor politik.

Duke folur me prezantuesin e Fox News, Sean Hannity më vonë atë ditë, Trump e përshkroi Abbott si “një njeri spektakolar”, duke shtuar se guvernatori republikan kishte “bërë një punë të madhe” në luftën për të frenuar valën e emigracionit të paligjshëm në gjithë shtrirjen 1200 milje të Teksasit me kufirin meksikan.

I pyetur nëse do ta konsideronte Abbott për zëvendëspresident, Trump u përgjigj: “Po, sigurisht që ai do të ishte dikush që do ta konsideroja shumë”.

“Pra ai është në listë?” E pyeti përsëri Hannity.

“Absolutisht, ai është”, konfirmoi Trump.

Kur u pyet se kë tjetër po konsideronte për këtë rol, Trump emëroi senatorin e Karolinës së Jugut Tim Scott. Megjithatë, ai ishte më pak i hapur në lëvdatat e tij për Scott, duke e përshkruar atë si një kandidat presidencial “në rregull”.

Lista e kandidatëve të mundshëm të Trump-it tani numëron shtatë persona. Muajin e kaluar, kandidati presidencial i konfirmoi Laura Ingraham të Fox News se Scott, sipërmarrësi Vivek Ramaswamy, Guvernatorja e Dakotës së Jugut Kristi Noem, Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, Kongresmeni i Floridës Byron Donalds dhe ish-Senatorja demokrate e Hawaiit, Tulsi Gabbard, ishin të gjithë në garë për postin.

Megjithatë, Abbott tha të premten se nuk është i interesuar për rolin.

“Natyrisht, kjo është shumë e këndshme. Por unë mendoj se ju e dini se fokusi im është tërësisht në shtetin e Teksasit. Unë kam njoftuar se do kandidoj për rizgjedhje dy vjet nga tani, dhe kështu, angazhimi im është në Teksas dhe unë do qëndroj në Teksas.” – tha Abbott.

DeSantis, i cili së bashku me Ramaswamy u larguan nga gara për nominimin republikan në janar, ka thënë gjithashtu se ai nuk do e konsideronte këtë detyrë.