Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja po përdor Inteligjencën Artificiale për goditjen e objektivave në Lindjen e Mesme


Sipas një raporti të ri, SHBA po rrit përdorimin e teknologjisë së inteligjencës artificiale në fushën e betejës, së fundmi duke ndihmuar në goditjen e objektivave në Lindjen e Mesme.

Në turin e fundit të sulmeve ajrore, forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA-ja shënjestruan tetë pika, të cilat përfshinin objektet e ruajtjes së armëve nëntokësore, objektet e ruajtjes së raketave, sistemet ajrore të dronëve, sistemet e mbrojtjes ajrore, radarët dhe një helikopter, për të prishur aftësitë e milicisë Houthi të mbështetur nga Irani, sipas Pentagonit.

Ndërsa SHBA-ja ka shtuar sulmet hakmarrëse kundër grupeve që i cilëson terroriste në rajon, ajo po përdor inteligjencën artificiale të ndërlikuar dhe kompjuterët e fuqishëm për të goditur objektiva të sakta të grupeve armike.

Ushtria po përdor algoritme të vizionit kompjuterik për të gjetur objektivat e armikut në Lindjen e Mesme, sipas një raporti nga Bloomberg. Raporti citonte Schuyler Moore, shefin e teknologjisë për CENTCOM të SHBA-së, i cili po diskutonte përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) gjatë sulmeve.

“Sistemet AI mund të grumbullojnë të dhëna në masë dhe të gjejnë objektivat dhe vendndodhjet në mënyra që mund të jenë më efikase sesa mbështetja në teknikat tradicionale,” tha Steven Feldstein, bashkëpunëtor i lartë në ‘Carnegie Endowment for International Peace’, për Fox News Digital.

“Duke pasur parasysh se sa komunikimi numerik po përshkon ekosistemin tonë, aftësia e sistemeve të AI-së për të shoshitur zhurmën dixhitale dhe për të dalluar modelet e lidhura me objektiva specifikë mund të jetë jashtëzakonisht e vlefshme për këto operacione.”

Funksioni kryesor i kësaj teknologjie të re rrit efikasitetin në gjetjen e një individi përkatës dhe pozicionin e personit.

“Nëse u jepet qasje në të dhënat e duhura, sistemet mund të krehin sinjalet e inteligjencës, postimet e mediave sociale dhe faktorë të tjerë që do siguronin të dhëna rreth vendndodhjes së një objektivi, të bëjnë një vlerësim për mundësinë që objektivi të banojë në një vend të caktuar dhe ndoshta të japë një vlerësim në lidhje me suksesin e mundshëm të një sulmi që do përmbushte më së miri dëmin objektivdhe atë të tërthortë nga një goditje e tillë,” shpjegoi Feldstein.

Militantët Houthi në Jemen kanë sulmuar vazhdimisht anijet tregtare në Detin e Kuq në shenjë solidariteti me militantët e Hamasit. Mbi 45 sulme nga Houthit ndaj anijeve tregtare dhe detare që nga mesi i nëntorit paraqesin një kërcënim për ekonominë globale dhe lirinë e lundrimit dhe tregtisë ndërkombëtare, sipas një deklarate të përbashkët nga SHBA-ja dhe aleatët e saj të koalicionit.