Vendosni fjalën kyçe....

Lulëzimi i tregut të banesave në Dubai, gjiganti “Emaar” nis projektin 21 miliardë dollarësh


Kompania e njohur me bazë në Dubai, më i njohur për punën e tij në kullën më të lartë në botë, po shpenzon 96 miliardë dirhemë (21 miliardë dollarë) për të ndërtuar dy lagje luksoze në qytet dhe për të përfituar nga lulëzimi i tregut të pasurive të paluajtshme.

Emaar Properties po fillon shitjet në ‘The Heights Country Club’, një zonë zhvillimore prej 81 milionë metrash katrorë e vlerësuar në 55 miliardë dirhemë, tha në një deklaratë kompania. Rezidencat janë gjithashtu në dispozicion në ‘Grand Club Resort’, një projekt prej 41 miliardë dirhemësh që do shtrihet në mbi 60 milionë metra katrorë.

Firma nuk zbuloi numrin e shtëpive në zonat e reja zhvillimore, që do të përfshijnë vila luksoze dhe apartamente në qytet ose kur planifikon të përfundojë ndërtimin. Me një kosto të përbërë prej 21 miliardë dollarësh, projektet janë më të kushtueshme se zona zhvillimore e nënshkruar nga Emaar në Doëntoën Dubai.

Zhvillimet e reja pritet të rrisin ndjeshëm shitjet dhe përfitimin, tha firma. Kompania, e cila ndërtoi rrokaqiellin Burj Khalifa, është ndër zhvilluesit që nisin projekte të reja në Dubai, i cili është shfaqur si një nga tregjet më ‘të nxehta’ të pronave në botë.

Rritja e kërkesës është ndihmuar nga një rrjedhë njerëzish nga e gjithë bota dhe e ka ndihmuar qytetin të rikthejë një rënie prej vitesh me çmimet që po rriten shumë, pavarësisht se normat e hipotekave lëvizin në nivelet më të larta në dy dekada.

Në fillim të këtij muaji, qindra blerës mbajtën radhë të gjata gjatë natës jashtë zyrave të një kompanie tjetër, Nakheel, për mundësinë e blerjes të më shumë se 500 shtëpive luksoze buzë detit.

Në nëntor, rreth 800 shtëpi në një ndërtim të ri rezidencial në Dubai u shitën brenda disa orësh, duke sjellë 844 milionë dollarë për firmat që mbështesin projektin, përfshirë Aldar Properties të Abu Dhabit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani