Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Vjenës e shpall fajtor për dëshmi të rreme ish-kancelarin austriak Kurz


Një gjykatë në Vjenë e shpalli fajtor ish-kancelarin konservator austriak Sebastian Kurz për dëshmi të rreme dhe i dha atij një dënim me tetë muaj burg me kusht, duke i dhënë një goditje të rëndë çdo mundësie që ai mund të ketë për të organizuar një rikthim politik.

“Sebastian Kurz është fajtor,” tha gjykatësi Michael Radasztics që kryesoi gjyqin, në fillim të vendimit të tij.

Çështja u përqëndrua në faktin nëse Kurz, 37 vjeç, thjesht ishte mbajtur i informuar për diskutimet mbi emërimin e drejtuesve për kompaninë e sapokrijuar shtetërore OBAG kur ai ishte kancelar apo në fakt kishte bërë thirrje. Emërimet ishin zyrtarisht përgjegjësi e ministrit të tij të Financave.

Kurz dëshmoi në një komision parlamentar hetimor në vitin 2020 se ai ishte “i përfshirë në kuptimin e të informuarit”. Gjykatësi vendosi se nuk ishte e vërtetë dhe Kurz luajti një rol aktiv.

“Më duket shumë e padrejtë kjo pjesë e vendimit,” u tha Kurz gazetarëve pas vendimit të mbrëmjes, duke iu referuar faktit se ai u shpall fajtor për një nga tre akuzat.

“Ne kemi bërë ankesë dhe kam shumë shpresa se do marrim një vendim në favorin tonë në shkallën e dytë.”

Prokurorët sollën prova, përfshirë mesazhe me tekst dhe dëshmi nga një dëshmitar ish-besnik i Kurz-it, Thomas Schmid, kreu i parë i OBAG, i cili është bërë dëshmitar shtetëror.

Gjykatësi tha se ai e konsideroi Schmid-in si një dëshmitar të besueshëm dhe hodhi poshtë përpjekjet e mbrojtjes për ta përshkruar atë si të pabesueshëm, si dhe argumentin e tyre se numri i dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria nënkuptonte se çështja kundër Kurz-it ishte e dobët.

Kurz i tha gjykatës përpara vendimit se akuzat e prokurorisë e kishin bërë atë të ndihej “tmerrësisht keq” dhe “të pafuqishëm” dhe ekipi i tij mbrojtës përsëriti në përmbledhjen e tyre se ai nuk kishte kryer dëshmi të rreme.

Partneri i atëhershëm i koalicionit të Kurz-it, Të Gjelbrit, e detyruan atë të largohej nga detyra në vitin 2021, kur prokurorët e vendosën atë dhe nëntë persona të tjerë nën hetim në një rast të veçantë me dyshimin për korrupsion. Kurz i mohon të gjitha akuzat.

Kurz tani është larguar nga politika dhe konservatorët kanë rënë në vendin e dytë ose të tretë në sondazhe, duke e bërë të mundshme që ata të humbasin vendet në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Kjo ka nxitur spekulime mes mbështetësve të tij se ai mund të rikthehet për të udhëhequr partinë dhe për të ndryshuar fatin e saj.