Vendosni fjalën kyçe....

Kryen veprime të dhunshme dhe hodhën molotov gjatë protestës së djeshme të opozitës,  arrestohen katër persona


Katër protestues janë arrestuar nga policia dhe 6 të tjerë janë vënë në hetim, pas dhunës së ushtruar gjatë protestës së zhvilluar nga Rithemelimi një ditë më parë, kundrejt efektivëve të policisë si dhe ndaj kryeministrisë.

Sipas policisë protestuesit, kanë hedhur kapsolla, flakdanë, molotov në drejtim të të punonjësve të Policisë dhe kryeministrisë.

“Ushtruan veprime të dhunshme gjatë protestës së ditës së djeshme, duke hedhur lëndë piroteknike (kapsolla, flakadanë, molotov), në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të një insitucioni shtetëror, arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 6 të tjerë.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me aktet e dhunës, gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, më datë 20.02.2024, bazuar në provat e grumbulluara, arrestuan në flagrancë shtetasit:

Kindi Toli, 21 vjeç, Andrea Malia 18 vjeç, Bledar Kola, 37-vjeç, Ismet Stefanis, 33 vjeç.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

– A. I., 20 vjeç, R. Sh., 20 vjeç, M. M., 20 vjeç, M. S., 19 vjeç, G. P., 22 vjeç, dhe D. Th., 21 vjeç.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

– 21 flakadanë të plasur;

– 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;

– 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;

– 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;

– 3 kapsolla.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së ditës së djeshme”, njofton policia.