Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan në konferencë me Ramën: Pastruam mbetjet e gylenistëve në Shqipëri, lufta me ta do vijojë


Presidenti turk Erdogan shigjetoi nga Ankaraja “Fondacionin Gylen” dhe strukturat e tij në Shqipëri.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Rama, i cili ndodhet në Turqi ndërkohë që opozita protesonte mbrëmjen e sotme poshtë zyrës së tij, Erdogan tha se fondacioni në fjalë vijon ende veprimtaritë e tij në Shqipëri me qëllimin për të hedhur hije mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.

Kreu i shtetit turk paralajmëroi se Ankaraja nuk do e lejojë atë të arrijë objektivat ndërsa pohoi se edhe autoritetet shqiptare janë  të vetëdijshme për këtë.

“Ashtu si deri më sot, edhe këtej e tutje ne do të vazhdojmë të jemi, të qëndrojmë pranë popullit shqiptar. Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO-s në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë. Në kuadër të mirëkuptimit, lufta jonë me këtë strukturë do të vazhdojë dhe falënderoj për kontributin që ka dhënë fondacioni turk ‘Maarif’ që vazhdon aktivitetin e arsimit në Shqipëri. Ne kemi bindjen se kjo mbështetje, ky kontribut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.” – tha Erdogan.

Më tej, Erdogan vlerësoi marrëdhënien me Shqupërinë dhe tha  se Ankaraja synon ta ngrejë në një nivel më të lartë partneritetin me Tiranën në shumë fusha.

“Bashkëpunimi ynë shumëdimensional vazhdon të zhvillohet në kuadër të partneritetit strategjik që ne kemi shpallur në Ankara, së bashku me Kryeministrin Rama në vitin 2021. Sot, në mbledhjen e parë të Këshillit tonë, konfirmuam edhe një herë vendosmërinë për të ngritur në një nivel më të lartë marrëdhëniet tona. Theksova edhe një herë rëndësinë që i jep Turqia zhvillimit të Shqipërisë, mbështetjen për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar. Me marrëveshjet që nënshkruam, përforcuam bazën juridike të bashkëpunimit tonë. Volumi tregtar ka arritur në 1 miliardë dollarë. Objektivi ynë i ri është që ta çojmë në 2 miliardë dollarë dhe përcaktuam këtë si objektiv. Kam besim se me përpjekjet e sektorit tonë privat do të arrijmë këtë shifër në një kohë shumë të shkurtër. Turqia është një prej pesë investitorëve të huaj më të mëdhenj të Shqipërisë, me një investim që arrin deri në 3.5 miliardë dollarë. Më shumë se 600 firma turke kanë punësuar mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë duke mbështetur ekonominë vendase.” – tha ndër të tjera Erdogan.