Vendosni fjalën kyçe....

Atentati në Kurbin, zv.drejtori i policisë: Po hetohen konfliktet e mundshme të pronarit të firmës


Zv.drejtori i Policisë në Lezhë, Gentjan Berberi ka dhënë detaje nga atentati mëngjesin e sotëm në Kurbin ku u vra ekonomisti i një firme të përpunimit të inerteve dhe u plagos pronari.

Ai ka treguar se autorët kanë lëvizur me automjet dhe kanë qëlluar me automatik në drejtim të biznesmenit Ardian Gjeloshi, i cili ishte edhe shënjestër e atentatit dhe ekonomistit, Selman Mihana, që humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Zv.drejtori i policisë së Lezhës deklaroi se biznesmeni 51-vjeçar ndodhet në gjendje të mirë nën kujdesin e mjekëve, ndërsa pistat ku po hetohet janë mosmarrëveshjet që ai ka pasur.

“Në ambientet ku ndodhemi është qëlluar me armë zjarri ku është tentuar të vritet shtetasi me iniciale A.GJ. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën shtetasi tjetër me iniciale S.M. Është ngritur grup hetimor i posaçëm.

Dyshohet se është qëlluar me automatik, ka të dhëna që autorët kanë lëvizur me një mjet. Po hetojmë konflikte mosmarrëveshje e personit që është tentuar të vritet. Objektivi i atentatit është personi i plagosur, i cili është në gjendje të mirë, ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, tha Berberi.