Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mban fjalimin e përnatshëm para mbështetësve: Në 5 shkurt ju firmosët bashkimin e demokratëve


Në fjalimin e përnatshëm përpara mbështetësve, ish-kryeministri Sali Berisha, tha se më 5 shkurt u firmos mrekullia e re e Partisë Demokratike, bashkimi i demokratëve.

Duke hedhur sërish akuza mbi kryeminstrin Rama, Berisha përmblodhi edhe njëherë vështirësitë që Partia Demokratike ka hasur ndër vite.

 

Pjesë nga fjalimi:

Por PD ka provuar se politika është arti i realizimit të pamundshmes, sepse ne kemi realizuar të pamundshmen jo njëherë, por dy herë dhe tani do realizojmë një herë të tretë.

Ne do fitojmë sepse ju demokratë, misionarë të pamposhtur me 5 shkurt, me betejën tuaj pa kthim, ju firmosët mrekullinë e re të PD, bashkimin e demokratëve.

Ditën kur pala tjetër si përgjigje ndaj akuzave lemeritëse të Arben Ahmetajt, zgjodhi omertan, kodin e mafied. Miq mos harroni, kujtoni pak Damian Gjiknurin para gazetarëve. Ajo e pyeste për intervistën e Arben Ahmetajt, ai bënte mmmm. Kishte frikë se po i çelet goja. Dhe meqë jemi këtu, le t’u bëjmë pak një pyetje Batonëve, Mjerove dhe Bolinove: Mor të nderuar, meqë Arben Ahmetaj nuk tha gjë, pse janë strukur, pse kanë heshtur, pse zbatojnë kodin e omertës hajdutët Edi Rama, Veliaj dhe të gjithë skapistët, ministrat e tij. Pse nuk thanë një fjalë? Pse nuk hodhën poshtë akuzat e tmerrshme? Sepse ato janë të vërteta. Pra, ditën kur Rruga e Shpresës lebetiti Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, ju udhëhoqët dhe thyet çdo tabu në politikën shqiptare. Më 5 shkurt, ju të dashur miq bëtë histori. Ju shembët një nga tabutë më të zeza të trashëguara nga e shkuara jonë diktatoriale. Politika shqiptare nuk është më e njëjtë që nga 5 shkurti, sepse ju dëshmuat se ndonëse mendoni ndryshe, ndonëse kemi kritikuar njëri-tjetrin, ndonëse kemi pasur përplasje me njëri-tjetrit dhe jemi parti e individit të lirë, kur vjen puna te interesi kombëtar, te vlera e lirisë, te demokracia, ne bëhemi një dhe i dalim zot vendit, i dalim zot pluralizmit, i dalim zot Shqipërisë.

Sepse miq, kjo është demokracia, ky është pluralizmi.

Atyre që rasti i viteve ’90 u duket i largët dhe nostalgjik, u them të ndalemi pak në rastin e dytë më të afërt. Rasti i dytë që dua t’u kujtoj ju misionarëve të pamposhtur është hera e dytë që erdhëm në pushtet në vitin 2005. Në atë kohë, sërish situata dukej e pamundur. PD sapo kishte dalë nga periudha e saj më e vështirë në tërë ekzistencën e vet. Për të shmangur një konflikt të gjerë civil që kërkonte të provokonte me çdo kusht rebelimi komunist, PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje dhe doli në opozitë.

U vërsulën në të katër anët që ta shqyenin, ta copëtonin, ta fshinin nga faqja e dheut.

Pozitat e tona në atë kohë ishin shumë më të vështira se sot. Të themi të vërtetën, në fillim pothuajse e gjithë bota, përveç një miku të çmuar që sot nuk është më, austriakut Alois Mock dhe pas tij edhe miqtë e tjerë, ishin kundra nesh.

Të gjithë kërkonin largimin tim, përveçse demokratëve, të cilët për mua ishin bota.

Ju jeni bota! Ju jeni bota për Sali Berishën!