Vendosni fjalën kyçe....

Hasani takim me ‘Miqtë e Ballkanit Perëndimor’: Diskutuam përshpejtimin e integrimit në BE përmes tregut të përbashkët rajonal


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, në takimin e Ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, theksoi nevojën për një qasje të re ndaj rajonit me fokus të veçantë në ekonomi.

Sipas kryediplomatit shqiptar, konvergjenca ekonomike është mjeti që i mundëson rajonit të nxisë integrimin ekonomik përpara se të kalojë në një integrim politik eventual si hapi i fundit i procesit.

Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si dhe roli e kontributi i sektorit privat në avancimin e kësaj kauze.

Ministri Igli Hasani ndodhet në Itali, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Mirënjohje Grupit të Miqve të Ballkanit Perëndimor për angazhimin e tyre dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Antonio Tajani, për organizimin e takimit të sotëm dhe mbështetjen e fortë për perspektivën e rajonit në BE.

Ne diskutuam mënyra praktike për të përshpejtuar integrimin në BE përmes tregut të përbashkët rajonal dhe thellimin e  bashkëpunimit me tregun e përbashkët të BE-së.

Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj integrimit në BE, duke i dhënë përparësi integrimit të përshpejtuar sektorial përpara anëtarësimit të plotë dhe duke u fokusuar në reformat kryesore për rritje të qëndrueshme.’– shkruan Hasani.

Grupi i Miqve të Ballkanit Perëndimor, i krijuar në vitin 2023, bashkon Italinë, Austrinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Sllovakinë, Greqinë dhe Slloveninë. Grupi u krijua për të rritur vëmendjen e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit.