Vendosni fjalën kyçe....

Lezhë, montonte mina me telekomandë dhe ua shiste grupeve kriminale, arrestohet 45-vjeçari 


Parandalohen të tjera ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me mina me telekomandë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “New Start”.

Montonte mina me telekomandë (me lëndë plasëse C4), për t’ua shitur grupeve kriminale, arrestohet në flagrancë 45-vjeçari.

Sekuestrohen 3 mina me telekomandë për shpërthim në distancë, të cilat 45-vjeçari i kishte fshehur në trup, dhe një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa që iu gjet këtij shtetasi, në momentin e arrestimit.

3 ditë më parë, Policia e Mirditës sekuestroi 2 mina të tjera me telekomandë dhe 1 kallashnikov, si dhe vuri në pranga poseduesin e tyre.

“Shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit” dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetas prodhonte mina me telekomandë, për t’ua shitur grupeve kriminale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “New Start”.

Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar Ilir Gjoka., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit.

Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi I. Gj., 45 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e cannabisit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.