Vendosni fjalën kyçe....

Zbardhet kërkesa e 47 deputetëve të opozitës: Të ndryshohet përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore


Zbardhet kërkesat e 47-deputetëve të opozitës, të cilët kërkojnë të ndryshohet përbërja e Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Në një kërkesë drejtuar Kryetares së Kuvendit dhe për dijeni Ambasadorëve të Quint-it dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, 43 deputetët e PD të grupimit Bardhi-Berisha, 3 deputetët e Partisë së Lirisë dhe deputeti i PD Agron Shehaj, i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit të procedojë me ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

47 deputetët e opozitës, të cilët së bashku me 7 deputetët e Grupit Parlamentar për Demokraci dhe Integrim që kanë caktuar Shpëtim Idrizin si anëtarë të tyre, përbëjnë shumicën absolute të deputetëve të opozitës, kanë theksuar se përveç faktit që Shqipëria ka detyrimin ndërkombëtar për reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR, nga ana tjetër Kuvendi ka detyrimin për të reflektuar edhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, që lidhen kryesisht me formulën ligjore të përllogaritjes së mandateve për deputet, si dhe votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Në një letër të gjatë deputetët e opozitës kanë shpjeguar në detaje sesi puna e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore u bllokua për rreth 2 vite nga bashkëkryetarët aktual. “Për shkak se në 18 muaj Komisioni i Posaçëm zhvilloi vetëm dy mbledhje inaguruese dhe nuk përmbushi përgjegjësinë e ngarkuar nga Kuvendi dhe as afatet e kalendarit të punës që kishte miratuar vetë, në 14 Maj 2023, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje pa asnjë ndryshim ligjor dhe pa adresuar asnjë nga Rekomandimet e OSBE-ODIHR të vitit 2021”- thuhet në shkresë.

Deputetët nënshkrues shprehen se kanë analizuar situatën që në muajin Shtator 2023 dhe kanë konstatuar se asnjë përfaqësues i mazhorancës dhe opozitës, roli udhëheqës i përket bashkëkryetarëve, nuk kishin kërkuar asnjëherë zyrtarisht mbledhjen e Komisionit, nuk kishin patur asnjë reagim apo nuk kishin nxitur asnjë debat publik mbi këtë çështje, nuk kishin informuar asnjëherë Grupin Parlamentar apo vetë Kuvendin për ekzistencën e ndonjë arsyeje objektive për bllokimin e punës në Komision, si dhe drejtuesi i opozitës në Komision nuk kishte zhvilluar asnjë takim, konsultim apo mbledhje me anëtarët e tjerë të opozitës. 

“Nga kjo analizë rezultoi e provuar që qartësisht Reforma Zgjedhore po lihej në heshtje, po mbahej qëllimisht e bllokuar, edhe pse koha po kalonte dhe zgjedhjet e ardhshme ishin afër” – shkruajnë deputetët e opozitës.

“Është e drejtë e trupës që ka mandatuar përfaqësuesit që të rishoh rolin e tyre, si dhe t’i mbajë përgjegjës kur cënohen interesat politike apo kur shpërdorohet besimi i dhënë. Në këtë kuptim, koha e mjaftueshme prej 22 muajsh për të ushtruar përgjegjësinë e ngarkuar dhe mungesa e progresit në këtë çështje, e bën të domosdoshëm ndryshimin e përbërjes së Komisionit” – thuhet në shkresën drejtuar Kryetares së Kuvendit.

Deputetët evidentojnë se në kuadër edhe të dialogut konstruktiv dhe gjithëpërfshirës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” dhe deputetët e tjerë të opozitës, vendosën të propozojnë ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, duke theksuar për herë të parë zyrtarisht se në rast se 7 deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të cilët mungonin në mbledhje (Arbi Agalliu, Enkelejd Alibeaj, Eralda Bano, Flutura Acka, Kreshnik Çollaku, Lulzim Basha, dhe Orjola Pampuri) shprehin vullnetin të përfaqësohen me një anëtar të zgjedhur prej tyre, atëherë grupi parlamentar shpreh gadishmërinë për të tërhequr një anëtar nga propozimi dhe caktimin e njërit prej kolegëve që mungon në mbledhje si anëtar të Komisionit.

Letra e deputetëve mbyllet me thirrjen drejtuar Kryetares së Kuvendit që t’i përgjigjen thirrjes së partnerëve ndërkombëtar për gjetjen e rrugës së dialogut mes palëve dhe të mbajnë në konsideratë dakordësinë e arritur në Rezolutën e Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ku theksohet nevoja për të siguruar një qasje të vërtetë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

foto galeri

foto galeri