Vendosni fjalën kyçe....

Mbrëmjen e sotme e nesër priten reshje shiu e bore në disa qarqe, Agjencia e Mbrojtjes Civile


Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka njoftuar për mundësi të reshjeve të borës e shiut duke nisur nga mbrëmja e sotme e dita e nesërme.

Reshjet do jenë të përqendruara në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë e Tiranë, thotë njoftimi i AKMC-së që citon eksperët e Institutit të Gjeshkencave.

Në qarkun Durrës priten reshje mesatare, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare.

Në qarqet Shkodër dhe Lezhë reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata. Në zonat malore në Veri dhe Verilindje të vendit, në lartësitë mbi 800m nga niveli i detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.

“Në këtë kohë, bashkitë të mobilizojnë strukturat operacionale dhe të mbajnë në gatishmëri mjetet për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në raste nevoje. Ne ju kujtojmë se siguria është prioritare. Nëse hasni në ndonjë situatë emergjente, ju lutemi të kujdeseni për veten tuaj dhe për të tjerët. Numri i emergjencave 08000911 është gati për t’ju ndihmuar dhe për t’ju ofruar këshilla në kohë reale”, thekson AKMC.