Vendosni fjalën kyçe....

Fermerët gjermanë bllokojnë rrugët në mbarë vendin në protestën njëjavore (Videot)


Fermerët në të gjithë Gjermaninë janë mbledhur e kanë nisur një javë protesta kundër masave shtrënguese të qeverisë, të cilat ata kanë frikë se mund ta lënë sektorin bujqësor pa mbështetje dhe të detyrojnë fermat të mbyllen.

Mijëra janë dyndur në Berlin dhe qytete të tjera të mëdha për të protestuar kundër shkurtimeve të subvencioneve të naftës dhe uljeve të taksave për automjetet bujqësore të prezantuara nga kancelari Olaf Scholz muajin e kaluar si pjesë e një pakete më të gjerë që synon të mbyllë një deficit buxhetor prej shumë miliardë eurosh. Ndër të tjera, fermerët planifikojnë të bllokojnë autostradat dhe të udhëtojnë në autokolona që lëvizin ngadalë.

Fermerët kishin organizuar tashmë një protestë masive në Berlin pas njoftimit në mes të dhjetorit, duke e detyruar qeverinë të tërheqë pjesërisht masat e planifikuara. Berlini ra dakord asokohe të mos heqë trajtimin preferencial të taksave të automjeteve bujqësore dhe të shtyjë uljet e taksave të naftës deri në vitin 2026.

Megjithatë, protestuesit thonë se koncesionet e qeverisë nuk ishin të mjaftueshme dhe po bëjnë thirrje për një ‘javë veprimi’ protestash të përditshme në mbarë vendin nga 8 janari për të kërkuar një ndryshim të plotë të shkurtimeve të propozuara.

 

“Ky mund të jetë vetëm hapi i parë,” tha Joachim Rukwied, kreu i shoqatës së fermerëve DBV, në lidhje me anulimin e pjesshëm të shkurtimeve, duke u zotuar se fermerët do protestojnë ndaj planeve të qeverisë “siç vendi nuk ka parë kurrë më parë”.

“Ne kërkojmë tërheqjene plotë të rritjeve të taksave pa asnjë ngurrim. Unë pres që dhjetëra mijëra traktorë do vijnë në mitingjet tona në të gjithë Gjermaninë,” tha Rukwied për gazetën Bild.

Shumë kanë frikë se protestat mund të paralizojnë transportin në gjithë vendin dhe të përbëjnë një kërcënim për sigurinë publike.s

“Jo çdo formë proteste e ndihmon kauzën. Kjo vlen për veprimet goditëse si dhe për bllokadat e traktorëve. Kushdo që kapërcen masën duhet të përballet me pasoja,” tha Herbert Reul, ministër i Brendshëm i landit të North Rhine-Westphalia, duke paralajmëruar demonstruesit të mos i vënë interesat e tyre mbi rendin publik.

Komentet e tij erdhën pasi një grup prej rreth 100 fermerësh bllokuan zëvendëskancelarin gjerman Robert Habeck nga zbarkimi nga një traget javën e kaluar.