Vendosni fjalën kyçe....

BSH: Mungesa e likuiditetit në treg arriti nivele rekord në tremujorin III


Banka e Shqipërisë ka rritur sasinë mesatare të likuiditetit të injektuar në treg gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Sipas njoftimit zyrtar, injektimi mesatar ditor nëpërmjet operacioneve injektuese të likuiditetit me maturim 1-13 javë është rritur më tej në 54.20 miliardë lekë kundrejt 44.65 miliardë lekë mesatarisht në gjashtë muajt e parë të vitit 2023.

Mungesa është në nivelet maksimale të vërejtura dhe mbi limitin e sipërm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë. Mungesa ka qenë e qëndrueshme në nivele të larta mbi 45 miliardë lekë, duke shënuar vlerën 56.3 miliardë lekë në fillim të periudhës dhe 61.20 miliardë lekë në fund të saj.

Sipas Bankës së Shqipërisë, faktori kryesor i stabilizimit të mungesës në nivele të larta dhe më pak në rritjen e tij ka qenë akumulimi i likuiditetit në llogarinë e qeverisë. Ky akumulim vlerësohet se ka ardhur kryesisht për shkak të suficitit të lartë buxhetor.

Gjatë tremujorit të tretë, gjendja totale në llogarinë e qeverisë ka rënë me 1.1 miliardë lekë, por janë paguar në Bankën e Shqipërisë marrëveshje SWAP për 4.47 miliardë lekë në 18 shtator.

Duke synuar uljen e mungesës nëpërmjet arritjes së mesit të bandës së synuar për madhësinë e portofolit, Banka e Shqipërisë ka vijuar të organizojë ankande të blerjes së letrave me vlerë, por pjesëmarrja e bankave ka qenë e ulët për shkak të trendit rënës së yieldeve në ankandet e tregut primar dhe riklasifikimin e letrave me vlerë në kategorinë “të mbajtura deri në maturim” gjatë vitit 2022 prej bankave të nivelit të dytë.

Paraja në qarkullim është rritur me 4.07 miliardë lekë, ku vetëm në muajin korrik u regjistrua një rritje me 5.56 miliardë lekë. Në periudhën qershor-korrik, rritja e parasë në qarkullim ka qenë 10.63 miliardë lekë, duke bërë që shenjat e mëparshme të një ecurie më pozitive të këtij faktori në kushtet e normave të interesit më të larta, të zhbëhen gjatë këtij tremujori.

Faktorë me ndikimin pozitiv në likuiditetin e bankave kanë qenë blerjet e valutës nga bankat e nivelit të dytë për në total 9.73 miliardë lekë.

Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë, ka përdorur instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor për mesatarisht 35.56 miliardë lekë ose 65.60% kundrejt përkatësisht 68% dhe 64% në tremujorin e mëparshëm.

Rastet e përdorimit të kredisë njëditore kanë rënë gjatë tremujorit III në 9, prej 13 në tremujorin e dytë dhe 20 në tremujorin e parë, ndërsa përdorimi i instrumentit të depozitës njëditore ka rënë në mesatarisht 400 milionë lekë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor