Vendosni fjalën kyçe....

Serwer: Rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk janë shenjë e mirë për marrëdhëniet me Kosovën


Daniel Serwer, profesor amerikan dhe njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkan, ka deklaruar, pas zgjedhjeve të së dielës në Serbi, se Presidenti Aleksandar Vuçiç krijoi një sistem të padrejtë elektoral që i konvenon.

Sipas tij, fushata zgjedhore  u zhvillua në kushtet e “kontrollit të fuqishëm mediatik nga ana e pushtetit dhe eksploatimit të resurseve shtetërore”.  Në një intervistë për seksionin serb të Radios Evropa e Lirë, Serwer tha se “Vuçiçi ia doli të zë hapësirën edhe pro-ruse edhe pro-evropiane, ndonëse është shumë më afër drejtimit pro-rus sesa atij pro-evropian”.

Intervista:

Radio Evropa e Lirë: Çfarë reagimi prisni nga Uashingtoni?

Serwer: Nuk e di se çfarë të pres. E dini, ashiqare këto nuk janë zgjedhje të drejta dhe ata duhet ta thonë këtë. Duhet të jenë shumë më të ashpër ndaj Serbisë edhe kur është fjala për ngjarjet e 24 shtatorit. Ata duhet t’i porosisin Vuçiqit se, nëse a dëshiron që (ish-nënkryetari i Listës Serbe) Milan Radoiçiq të konsiderohet përgjegjës për ato ngjarje, atëherë duhet t’ia  dorëzojë atë Kosovës për gjykim. Duhet të jenë shumë, shumë më të ashpër ndaj Serbisë, por deri tani nuk kanë qenë. Dhe nuk shoh asnjë shenjë se ai do të ndryshojë mendje. Kujtoj se ata thjesht do të vazhdojnë të shtiren.

Radio Evropa e Lirë: Beogradi ditëve të kaluara ishte i vendosur në qëndrimin se Radoiçiqi në asnjë rrethanë nuk do të ekstradohej në Kosovë!

Serwer: Nëse ju (Serbia) pohoni se Kosova është territori juaj, ndërsa krimi ka ndodhur në Kosovë, atëherë duhet të jeni të gatshëm ta dërgoni (Radoiçiqin) në Kosovë. Atëherë për Serbinë ky nuk është ekstradim. Çështja është që t’ia dërgoni  jurisprudencës kompetente. Autoritetet kosovare kanë ekzistuar edhe përpara (pavarësisë). Nuk është sikur Kosova në të kaluarën të mos kishte parlament, jurisprudencë dhe polici. Ndaj këtyre institucioneve duhet vepruar me respekt. Dhe prandaj gjyqi duhet të mbahet atje. Por askush nuk insiston në këtë. Askush nuk i bën presion Vuçiqit. Të gjithë frikësohen së tepërmi se ai do të bjerë në krahët e (presidentit kinez) Xi Jinping dhe (presidentit rus) Vladimir Putinit. Por fakti është se ai tashmë është në krahët e tyre.

Radio Evropa e Lirë: A e shihni këtë kërkesë për ekstradim si sfidën e parë për Qeverinë e ardhshme të Serbisë?

Serwer: Këtë nuk mund ta di, por për mua është një punë e thjeshtë. Krimi ka ndodhur në territorin e Kosovës. Në Kosovë ka autoritete të cilat Serbia i ka njohur me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila po ashtu ka bërë thirrje për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Pra, nëse doni Bashkësinë, duhet të përmbushni detyrimet tuaja sipas marrëveshjes së 2013-ës. Dhe kjo do të thotë se Radoiçiqi duhet të gjykohet nga organet kompetente në Kosovë. Marrëveshja është absolutisht e qartë, se sistemi gjyqësor i pushtetit në Prishtinë vlen në tërë territorin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kur është fjala për marrëdhëniet e Serbisë dhe Kosovës – sipas jush, a do ta përshpejtojë ky rezultat i Partisë Progresive Serbe përfundimin e marrëveshjes me Kosovën, apo trendi aktual do të vazhdojë?

Serwer: Nuk shoh shenjë se Vuçiqi është i gatshëm për ndonjë lëvizje serioze përpara në marrëdhëniet me Kosovën. Përkundrazi, ai është nis në drejtim të kundërt. Ai përsëri bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai konteston rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit, për të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se juridikisht janë të obligueshme. Është e vërtetë se Brukseli i shton dispozitat e këtyre marrëveshjeve në kushtet për hyrjen e Serbisë në BE, por Vuçiq nuk është serioz për çështjen e aderimit në Union. Kështu që kjo nuk do t’i ndryshojë shumë. Mendoj se këto (rezultate) nuk janë shenjë e mirë për marrëdhëniet me Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Forca e dytë më e madhe në parlament do të jetë lista opozitare pro-evropiane “Serbia kundër dhunës”. Sipas vlerësimeve të para, ajo do të ketë 64 mandate në parlament. Sa mund të jenë ata korrektiv i Partisë Progresive Serbe?

Serwer: Për të qenë i sinqertë, deri tani ishin të ndrojtur. Nuk kishin shumë ide të reja. Platforma pro-evropiane nuk është një ide vërtet e re.

Radio Evropa e Lirë: Pse i konsideroni opsion politik të ndrojtur?

Serwer: Gjithësesi, ata janë tejet të ndrojtur për çështjen e Kosovës. Nuk duan të thonë asgjë që do të sugjeronte se do të kishin një qëndrim më të butë me Kosovën dhe do të kërkonin marrëveshje të vërtetë me Kosovën. Ata duhet të mendohen – a është vërtet e zgjuar ta bësh këtë apo jo. Ata janë të ndrojtur edhe lidhur me çështjet ekonomike, harmonizimin në nivel ndërkombëtar, problemin e dhunës – çfarë do të bënin ata me të vërtetë për çështjen e dhunës dhe kulturën e dhunës në Serbi? Serbia e sotme është një autokraci. Nuk ishte dhjetë vjet më parë, por sot është – një autokraci zgjedhore. Por ende ofron disa mundësi për efektivitetin e opozitës. Do të doja të shikoja nëse mund t’i shfrytëzojnë ato. Vuçiq ka të drejtë të festojë, të jetë i kënaqur me rezultatin e fortë. Por, edhe opozita mund të jetë krenare për atë që arriti. Ndërkaq, tani ajo duhet të dëshmojë se është e aftë të shpalosë një platformë që do të ishte tërheqëse për qytetarët në zgjedhjet e ardhshme.

Radio Evropa e Lirë: Befasia më e madhe e zgjedhjeve është lista e udhëhequr nga Dr. Branimir Nestoroviq, i njohur për teoritë konspirative. Për herë të parë do të jetë në parlament. Ata përfaqësojnë ideologjinë e ekstremit të djathtë, janë me orientim pro-rus: në listën e tyre është edhe Dragan Stanojeviq, pak i njohur në Serbi – por i përshkruar si një lojtar shprehimisht pro-rus, i cili është nën sanksionet ukrainase. Sa rëndësi i kushtoni hyrjes së kësaj liste në Kuvend?

Serwer: Mendoj se kjo reflekton sentimentet djathtiste të një pjese të mirë të qytetarëve. Dhe jo vetëm për shkak të lidhjeve historike dhe kulturore me Rusinë, por edhe për shkak të mjedisit mediatik që fajëson NATO-n për luftën në Ukrainë, që favorizon Vladimir Putinin në çdo hap. Kjo është ajo që fitoni kur fuqimisht  anoni kah Rusia: njerëz që e duan Rusinë, madje edhe pasi ajo pushtoi një vend tjetër. Logjika në këtë situatë do të ishte krejtësisht e kundërt –  që Serbia të ishte goxha e ofenduar nga pushtimi rus në Ukrainë, por nuk është.  Ndoshta Serbia mund të ketë votuar kundër Rusisë në disa rezoluta të parëndësishme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por e dimë mirë se, në thelb, Aleksandar Vuçiq është në një vijë me Putinin dhe presidentin kinez Xi.

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e KDP