Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet Haxhi Shala, ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës


Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, që trajtojnë krimet e luftës në Kosovë, thanë të martën se është arrestuar Haxhi Shala, një ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një njoftim të Prokurorisë së Specializuar thuhet se zoti Shala u arrestua “për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë”.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim citohet kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara, Kimberly West, të ketë thënë se është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre.

“Jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë”, citohet kryeprokurorja.

Në aktakuzën e bërë publike nga Dhomat e Specializuara theksohet se “midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Haxhi Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1, për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.

Sipas aktakuzës, me këtë sjellje “Haxhi Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Me 6 tetor të këtij viti, Dhomat e Specializuara arrestuan Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi, nën dyshimet për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dega në Malishevë, tha në një komunikatë se “bastisjet, arrestimet e ekstradimet, siç ndodhi sot me bashkëluftëtarin Haxhi Shala, bëhen për t’i mbuluar dështimet dhe skandalet e njëpasnjëshme” të Gjykatës së Posaçme.

Në komunikatë thuhet se “përndjekja e çlirimtarëve dhe luftëtarëve te lirisë nga zyra e prokurorit te specializuar ne Hagë, ka një motiv politik. Pengimin e drejtësisë e ka bërë dhe e bën Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë”.

Haxhi Shala i njohur me emrin e luftës si komandant “Topi”, ka qenë edhe deputet i parlamentit të Kosovës.

Gjykata e Posaçme e njohur si Dhomat e Specializuara, trajton pretendimet për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Themelimi i saj nga parlamenti i Kosovës në gusht të vitit 2015, pasoi pretendimet e ngritura në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, që përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por, kjo çështje nuk është përfshirë në asnjë nga akuzat e deritashme ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së./VOA