Vendosni fjalën kyçe....

Finlanda deklasifikon dosjet e vrasësit të John Kennedy-t


Shërbimi Informativ i Sigurisë Finlandeze (SUPO) ka deklasifikuar një dosje 60-vjeçare që përshkruan vizitën misterioze të Lee Harvey Oswald në Helsinki përpara dezertimit të tij në Bashkimin Sovjetik, rreth katër vjet përpara se të vriste presidentin e SHBA-së John F. Kennedy në vitin 1963.

Oswald u gjykua nga Komisioni Warren në shtator 1964 se ishte i vetmi person i armatosur që qëlloi të shtënat fatale në ‘Elm Street’ në qendër të Dallasit që vrau Kennedy-n në nëntor.

Një ditë pas vrasjes së Kennedy-t, 23 nëntor 1963 – SUPO hartoi një memorandum për udhëtimin e Oswald në Helsinki që përshkruan një portret unik, ndonëse disi të paplotë, të një prej personazheve më famëkeq të shekullit të 20-të.

Dosjet e sapodeklasifikuara tregojnë se ish-marinsi amerikan Oswald, atëherë 19 vjeç, u regjistrua në hotelin Torni të Helsinkit më 10 tetor 1959 për një qëndrim pesë netë, por qëndroi vetëm për dy netë, raportoi të shtunën gazeta lokale Yle News. Aplikimi i Oswald-it për pasaportë amerikane tregoi se qëllimi i tij i deklaruar për udhëtim lidhej me arsimimin në Universitetin e Turkut në Finlandë.

Megjithatë, siç vëren Yle, aplikimi i Oswald në universitetin finlandez doli të ishte i rremë dhe ndezi spekulime për motivet e tij të vërteta. Pavarësisht përpjekjeve të tyre, autoritetet finlandeze nuk ishin në gjendje të zbulonin më shumë informacion rreth lëvizjeve të tij gjatë kësaj periudhe të shkurtër.

Më 12 tetor 1959 Oswald aplikoi për një vizë për të shkuar  në Ish-Bashkimin Sovjetik në Ambasadën Sovjetike në Helsinki – një aplikim që u miratua jashtëzakonisht shpejt sipas Komisionit Warren. Hollësitë rreth mbërritjes së tij në Helsinki mbeten gjithashtu mister. Paqartësitë për rrugën e tij të saktë kanë çuar në spekulime se ai mbërriti në Finlandë ose nga Anglia ose nga Suedia.

Hetimi i SUPO, zbulojnë dosjet e deklasifikuara, gjeti më shumë gjasa që Oswald të kishte mbërritur nëpërmjet Stokholmit ose me aeroplan ose me varkë. Shërbimi finlandez i inteligjencës përcaktoi gjithashtu se gjatë qëndrimit në Helsinki, Oswald “me sa duket ishte duke pritur për një vizë”.

Ai gjithashtu vë në dukje se pasi u largua nga Helsinki, Oswald mbërriti në Moskë ku pothuajse menjëherë shprehu interesin për të marrë nënshtetësinë sovjetike. Oswald kaloi rreth dy vjet e gjysmë në Bashkimin Sovjetik, kryesisht në Minsk, Bjellorusia e sotme, ku punoi si operator tornoje në një fabrikë elektronike.

Një grumbull i veçantë dokumentesh për vrasjen e Kenedit të lëshuar nga qeveria amerikane vitin e kaluar citonte komentin e ish-zyrtarëve të KGB-së të cilët thanë se Oswald “në asnjë moment” nuk ishte një agjent i KGB-së dhe se ai konsiderohej si “i çmendur dhe i paparashikueshëm” gjatë kohës së qëndrimit. Burimi i qeverisë amerikane shtoi se Oswald vuante nga depresioni dhe malli për shtëpinë gjatë pjesës më të madhe të kohës së tij në Bjellorusi.

Oswald, i cili kurrë nuk hoqi dorë zyrtarisht nga shtetësia e tij amerikane, u kthye në Shtetet e Bashkuara në verën e vitit 1962. Ai u qëllua për vdekje ndërsa ishte në paraburgim nga biznesmeni Jack Ruby dy ditë pas vrasjes së Kennedy-t.