Vendosni fjalën kyçe....

Nga 2024, Bashkia e Tiranës kërkon rritjen 15% të tarifës ditore të ushqimit për fëmijët e çerdheve dhe 6% për kopshtet publike


Nga 2024 pritet të rriten tarifat e ushqimit për fëmijët që frekuentojnë institucionet publike parashkollore në Tiranë.

Në relacionin e projektbuxhetit të vitit 2024, Bashkia e Tiranës ka kërkuar rritjen e tarifës ditore të ushqimit për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve nga 6 deri në 15%.

Për fëmijët që frekuentojnë kopshtet dhe çerdhet publike në Tiranë paguhet tarifa mujore, e cila përbëhet nga tarifa për ushqimin që llogaritet me tarifën ditore dhe ditët e frekuentimit të fëmijës gjatë një muaji.

Për fëmijët e kopshteve, tarifa ditore e ushqimit nga 160 lekë në ditë nga 2024 është kërkuar të jetë 170 lekë në ditë (rritje 6,2%). Për fëmijët e çerdheve tarifa ditore e ushqimit nga 130 lekë në ditë do të jetë 150 lekë në ditë (rritje prej 15,3%).

Sipas relacionit të projektbuxhetit rritja e tarifës ditore është ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve të artikujve ushqimorë.

“Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në vitet e fundit kanë hasur në vështirësi në përballimin e shpenzimeve për ushqim duke qenë se çmimet e artikujve ushqimorë janë rritur dhe për këtë qëllim është kërkuar dhe rritja e tarifës së ushqimit për të dy nëndarjet; tarifa e ushqimit për kopshte nga 160 lekë në ditë në vlerën 170 lekë në ditë dhe tarifa e ushqimit në çerdhe nga 130 lekë në 150 lekë në ditë.

Në vlerat e parashikuara për arkëtim nga pagesat e tarifës për ushqim për të dy tipologjitë e institucioneve është marrë parasysh vlera e rimbursimeve për shtresat të cilat janë të përjashtuara nga tarifa e ushqimit”, citohet në relacionin e projektbuxhetit.

Rritja e tarifës së ushqimit për çerdhet dhe kopshtet pritet të rrisë të ardhurat që realizohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve me 57 milionë lekë apo rreth 17% për 2024 në raport me të ardhurat e pritshme të 2023.

Për 2023 parashikohen që të ardhurat nga pagesat e kopshteve të fëmijëve të arrijnë 230 milionë lekë, ndërsa për 2024 pritet në vlerën e 255 milionë lekëve apo rreth 11%.

Të ardhurat nga pagesat e çerdheve të fëmijëve për vitin 2023 parashikohen të realizohen në vlerën e 108 milionë lekë, ndërsa për 2024 të ardhurat pritet të arrijnë në 140 milionë lekë apo rreth 30% më shumë.

Bashkia e Tiranës argumenton në relacion se gjithashtu shtimi i arkëtimeve nga pagesat e kopshteve dhe çerdheve do të ndikohet edhe nga shtimi i strukturave akomoduese. Deri në fund të vitit 2027 parashikohen të ndërtohen 22 kopshte dhe çerdhe të reja.

Në 12 njësitë administrative të kryeqytetit janë 53 kopshte publike dhe 43 çerdhe të cilat menaxhohen nga Bashkia e Tiranës.

Në fillim të vitit të ri akademik tarifat për fëmijët e çerdheve dhe kopshteve publike në Tiranë nuk ndryshuan.

Rritje të tarifave këtë vit pati nga disa kopshte jopublike në kryeqytet. Për shkak të shtimit të kërkesës tarifat në kopshtet private u shtrenjtuan deri 42% më shumë krahasuar me vjet./ D.Azo

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor