Vendosni fjalën kyçe....

Treni amerikan me squfur të lëngshëm del nga shinat dhe merr flakë, evakuohen banorët e zonës


Një tren mallrash doli nga shinat të mërkurën pasdite në qendrën e SHBA-së dhe squfuri që transportonte mori flakë, duke bërë që autoritetet e Kentucky-t të nxisin banorët që të evakuojnë zonën në prag të Ditës së Falënderimeve.

Treni doli nga shinat pranë fshatit Livingston dhe të paktën 16 vagona u përfshinë në aksident. Dy prej tyre, të cilat përmbanin squfur të lëngshëm, u hapën dhe një pjesë e përmbajtjes së tyre u derdh dhe mori flakë, tha kompania hekurudhore CSX në një deklaratë.

“Kur digjet squfuri i lëngshëm, ai lëshon dioksid squfuri në atmosferë, një substancë e rrezikshme si për njerëzit ashtu edhe për mjedisin”, tha kompania.

Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për rajonin, në mënyrë që të mobilizohen të gjitha burimet në dispozicion, njoftoi ai.

“Zyrtarët lokalë po u bëjnë thirrje banorëve të Livingston që të evakuojnë zonën,” shtoi ai.

CSX u bëri thirrje gjithashtu banorëve të cilët janë “të shqetësuar për sigurinë e tyre” të largohen dhe të gjejnë strehim të përkohshëm në hotele rreth 9 milje larg, me shpenzimet e tyre.