Vendosni fjalën kyçe....

Karavastaja “dorëzohet” tek bankat, ERE: Na shpjegoni pse kredia është më e madhe se projekti


Impianti më i madh fotovolatik në vend, tashmë i përfunduar nga investitori Karavasta Solar, pjesë e Voltalia, ka kërkuar pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) autorizimin që për transferimin e aseteve të saj përmes vendosjes së barrës siguruese tek bankat ndaj të cilave ka marrë hua.

Kjo është një procedurë normale e cila ndodh shpesh herë me projekte të sektorëve të ndryshëm përfshirë edhe energjinë. Bëhet fjalë për bankat ku më herët investitori siguroi miliona euro për ndërtimin.

“Me shkresën e protokolluar në ERE me nr. 2305 prot., datë 17.10.2023 shoqëria “KARAVASTA SOLAR” sh.p.k. (si palë huamarrëse) ka paraqitur kërkesën për marrjen e autorizimit nga ERE për transferimin (nëpërmjet vendosjes së barrës siguruese dhe hipotekës) përkatësisht të aseteve të kësaj shoqërie në Projektin Solar të Karavastasë prej 140MW, ndaj palës huadhënëse (e përbërë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), Intesa SanPaolo Bank Albania sh.a. dhe Privredna Banka Zagreb – Dionicko Drustvo), ku shoqëria Intesa SanPaolo Bank Albania sha vepron si Agjent i Mjeteve të ekzekutimit” thuhet në dokumentin e ERE. Më herët Karavasta Solar ka marrë licencën e prodhimit të energjisë nga centrali fotovolatik nga ky ent.

ERE ka miratuar fillimin e shqyrtimit të kësaj kërkese të kompanisë por ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion informacion mbi efektet e pritshme të kësaj procedure teksa ka kërkuar gjithashtu që t’i jepet informacion pse kompania ka marrë një kredi më të madhe sesa ajo që i nevojitej për zbatimin e projektit që ka pas fitimit të ankandit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Në vijim, do t’i kërkohet shoqërisë të bëjë me dije arsyet e marrjes së një kredie me të madhe në vlerë se kontrata e zhvillimit të projektit me MIE. Nga vlerësimi i aseteve në listat e përcjella në ERE, rezulton se jo të gjitha pasuritë e cituara si pjesë të Shtojcës A, janë asete fikse, ndaj nevojitet të saktësohen listat me shoqërinë “KARAVASTA SOLAR” sh.p.k” nënvizon ERE teksa ka njoftuar për fillimin e procedurës mbi kërkesën e kompanisë.

 

Projektet e Voltatlia

Në dhjetor të vitit të shkuar Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim miratoi një financim 28 milionë euro lidhur me projektin e impiantit fotovotlaik të Karavastasë. Kjo shumë përbën vetëm një pjesë të kostot totale që llogaritej se do të kushtonte impianti i Karavastasë që përafërsisht është vlerësuar si 125 milionë euro. Voltalia fitoi ankandin e shpallur nga qeveria shqiptare për një impiant fotovolatik në Karavasta ku dha një çmim 24.89 euro/MWh.

Sipas marrëveshjes Parku i Karavastasë do t’i shesë operatorit publik shqiptar 50% të energjisë elektrike nëpërmjet një kontrate shitjeje 15-vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do t’i shiten me kontrata afatgjata operatorëve privatë. Në mars të vitit 2021 e njëjta kompani fitoi edhe ankandin për një impiant fotovolatik në Spitallë me një çmim 29.89 euro/MWH.

Ndryshe nga Karavastaja impianti i Spitallës ka kaluar në heshtje dhe nuk ka pasur zhvillime. Ai është parashikuar të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 MWp nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MË do të tregtohen në treg të lirë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor