Vendosni fjalën kyçe....

Mali i Zi, një qytetar i Shqipërisë kapet me 18 kg kokainë në automjetin e tij


Sipas policisë malazeze, “në pikën doganore midis Malit të Zi dhe Kroacisë, në Debeli Breg, të enjten në mëngjes është arrestuar shtetasi shqiptar A.H. 34 vjeç, i cili drejtonte një makinë me targa franceze, në të cilën u gjetën 18 pako me lëndë pluhur të bardhë, e dyshuar si kokainë. Çdo pako përmbante një kilogram drogë”.

Drejtoria e Policisë malazeze, bën të ditur se” pakot e dyshuara si kokainë ishin fshehur në një vend të posaçëm nën sedilen e makinës”.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit i dyshuari është privuar nga liria nën dyshimin se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve”, thuhet në njoftimin e policisë malazeze.

Duke pasur parasysh se Mali i Zi dhe Shqipëria bëjnë pjesë në rrugën ballkanike, e cila kalon drejtë BE-së, trafiku i drogës përbën një problem të theksuar të këtyre vendeve.

Shifrat që flasin për sekuestrimin e drogës tregojnë për rrugët kryesore të trafikimit dhe rolin e grupeve të krimit të organizuar.

Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Deti Adriatik, Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Kroacisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës drejt Europës.

Në qershor të vitit 2021 u gjet trupi i pajetë i oficerit të anti-drogës për zonën e Ulqinit dhe Tivarit, në Lumin Buna, Rudolf Elezoviqit, i cili u dyshua se u vra nga grupet e krimit të organizuar, shkruan VOA.