Vendosni fjalën kyçe....

Stuhia në gotë me Fatmir Xhafajn dhe e vërteta e Kodit të Ri Penal


Në 72 orët e fundit kreu i Foltores Sali Berisha së bashku me disa media pranë tij, kanë ngritur një “stuhi në gotë” ideja e së cilës është kjo:

“Meqenëse Fatmir Xhafaj dhe ca burokratë të tij po hartojnë Kodin e Ri Penal sipas interesave të regjimit të Ramsit, për rrjedhojë Rama po afrohet dhe po pajtohet me Fatmir Xhafajn, i asistuar edhe nga Erion Veliaj.”.

Hashtag.al është interesuar në burim dhe në grupin zyrtar të punës që po koncepton dhe përpunon Kodin e Ri Penal, ndërsa realiteti që shfaqet në horizont është krejt tjetër nga komentet banale dhe teoritë e “speckave” të Foltores.

Rezulton se ndryshimet në Kodin Penal nuk janë fare një nismë shqiptare, as qeveritare.

Dy institucione të rëndësishme të asistencës ligjore amerikane në Tiranë, ICITAP dhe OPDAT kanë ndërrmarë këtë nismë, kanë kornizuar grupin e punës, udhëheqësin e grupit dhe kanë mbështetur projektin.

Grupi i punës që studion, koncepton dhe shkruan Kodin e Ri Penal përbëhet nga ekspertë të shkollës së Magjistraturës të kryesuar nga drejtori i kësaj shkolle, Arben Rakipi. Është ky i fundit, autoriteti më i lartë që udhëheq grupin e punës dhe mban kontakte të vazhdueshme dhe me ekspertët e ICITAP-it dhe OPDAT-it.

Njohës dhe specialist të ligjeve si Fatmir Xhafaj janë anësorë, kjo kategori juristësh me përvojë si Xhafaj mund të konsultohet për aspekte të caktuara, mund t’u kërkohen dhe komente, por ata nuk janë shkrues të Kodit të Ri Penal dhe as kanë ndonjë gjë në dorë që do e detyronte Edi Ramën që t’u shtrinte dorën për ndonjë bashkëpunim.

Sot ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka bërë një shënim interesant lidhur me këto ndryshime duke theksuar vlerën e tyre sa i takon zbutjes së dënimeve për disa vepra që rëndojnë në mënyrë jo logjike dhe jo proporcionale, zyrtarë shtetërorë, arsimtarë, mjekë, përdorues narkotikësh etj. (lexoje këtu)

Ideja e këtyre ndryshimeve lidhet me faktin se disa vepra penale mund të lypin tolerime që lidhen me hetimin në gjendje të lirë, apo me zbutjen e masave kufizuese dhe futjen e nocionit të “pengut dhe garancisë ekonomike” apo të gjobës të konvertueshme në punë të detyrueshme në komunitet.

Puna për këto ndryshime është komplekse dhe qëllimi për rikonceptimin e Kodit të Ri Penal ka lindur pasi elita e juristëve të Shqipërisë krijuan bindjen se ky kod ekzistues po shkaktonte padrejtësi dhe po jepte masa të ashpra ndëshkuese edhe ndaj zyrtarëve apo individëve rrezikshmëria shoqërore e të cilëve nuk përputhej me këto masa.

Por ajo çfarë bën çudi është fakti se Foltorja dhe mediat rreth saj flasin publikisht me kompetencë për Kodin e ri me idenë sikur këtë kod po e qëndis fshehurazi në ndonjë katoq të fshehtë Rama me Xhafajn.

Këto komente banale të opozitës janë tregues se ata janë krejtësisht të painformuar dhe “outside” nga një nismë tepër profesionale e mbështetur nga ekspertët amerikanë dhe e drejtuar nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi.

Ky i fundit mund të ketë ndonjë marrëdhënie të veçantë me ICITAP-in dhe OPDAT-in por zor se i shkon mendja ndonjë aktori shqiptar, qoftë ky dhe kryeministri Rama, se mund të kontrollojë apo manipulojë një lojtar të kalibrit të Arben Rakipit, për më tepër kur nisma në fjalë është totalisht e udhëhequr dhe mbikëqyrur nga partnerët amerikanë. / Hashtag.al