Vendosni fjalën kyçe....

Irena Beqiraj: SPAK po heton korrupsionin në akses. Kjo e shqetëson shumë edhe Edi Ramën


Ish-zv.ministrja Irena Beqiraj pohoi mbrëmjen e djeshme se për herë të parë SPAK ka ngritur akuzë për një çështje korrupsioni në akses që ka të bëjë me dhënien e privilegjeve përmes miratimit të ligjeve, rregulloreve e lobingjeve.

Ajo solli si shembull akuzën e SPAK-ut ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me privatizimin e ish-kompleksit Partizani.

E ftuar në emisionin ‘Të Paekspozuarit’ të gazetarit Ylli Rakipi, Beqiraj nënvizoi se kryeministri Edi Rama është tejet i shqetësuar nga kjo qasje e re e SPAK-ut në hetimin e çështjeve të ndryshme.

“Nga ndryshon masa e marrë karshi Arben Ahmetajt nga masa e marrë për Sali Berishën. Në qoftë se do i ndaja dy veprat nga ana ekonomike, e para është një korrupsion, për shkelje të pabarazisë në tendera, për përfitime personale nga ushtrimi i detyrës, pastrim parash etj, etj. Pra është korrupsioni i tipit dy i themi ne në ekonomi. Korrupsioni për të cilin akuzohet z.Berisha sot është korrupsioni në  akses. Çfarë është korrupsioni në akses? Korrupsioni nëpërmjet aksesit është kur ti jep privilegje nëpërmjet ligjeve, rregulloreve, lobingjeve nëpërmjet mundësisë që ke gjatë ushtrimit të pushtetit.” – tha Beqiraj.

Ajo bëri dallimin lidhur me korrupsionin në akses për sa u përket akuzave të ngritura nga SPAK ndaj ish-zv.kryeministrit Ahmetaj e ish-kryeministrit Berisha, me këtë të fundit i cili akuzohet për korrupsion në akses.

Beqirajt tha se është hera e parë që organi i akuzës po mbështet një perceptim publik ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve që hetohen e akuzohen për çështje të ndryshme.

“Tani a dënohet penalisht kur ti bën një ligj kolegjial unë nuk jam jurist që t’ua them por në të dy rastet unë shikoj që akuza që ka ngritur SPAK-u është për një gjë që ne e perceptojmë. Ne perceptojmë që këta shkelin barazinë në tendera, të gjithë e kemi këtë përceptim. Ne përceptojmë që  këta japin dhe kanë bërë ligje këto 30 vjet, nuk ndaj asnjë palë, kanë bërë ligje preferenciale. Mund të bëjmë debat sa të doni kush i ka bërë më shumë dëm Shqipërisë e kush i ka bërë më pak. Unë mendoj se ky që kemi po i bën më shumë dëm vendit meqë jam edhe socialiste por në fund fare akuza që ka ngritur SPAK dhe faktet që po dalin sot kanë një të mirë të madhe, që po mbështesin një perceptim publik të cilin e kemi ndarë të gjithë nëpër tavolina në ca fakte.” – shtoi Beqiraj.

Ish-zv.ministrja shtjelloi në fund se hetimi i SPAK-ut ndaj Berishës e familjarëe të tij e shqetëson më së shumti kryeministrin Edi Rama, teksa theksoi se ajo që po ndodh në Shqipëri së fundmi, më shumë se luftë politike është një luftë gjeopolitike.

“Kuptohet që të gjithë kanë të drejtë të mbrohen në gjykatë. Edhe Ben Ahmetaj ka të drejtë të shkojë atje dhe të thotë “unë jam i  pafajshëm” dhe ju po më bini në qafë po edhe z.Berisha ka të drejtë të shkojë atje. Ka të drejtë dhe detyrim të shkojë të mbrohet atje. Unë e shoh pak më komplekse çështjen e z.Berisha pikërisht për këtë. Sepse për herë të parë në Shqipëri po flitet për korrupsionin në akses. Nuk është folur asnjëherë për korrupsionin nëpërmjet aksesit. Dhe unë mendoj që pas familjes së z.Berisha i dyti që nuk do donte që të krijohej një precedent i tillë është z.Rama. Dhe nuk mendoj që kjo gjë që po ndodh është thjesht luftë politike Unë  do thojë që është një luftë gjeopolitike.” – tha Beqiraj.