Vendosni fjalën kyçe....

Ish-Sanatoriumi në Korçë do shndërrohet në “Kompleksin e Dijes”


Qyteti i Korçës do të ketë një kampus të ri universitar i cili është pagëzuar nën emrin “Kompleksi i Dijes”. Projekti i ri synon që të përfshijë një objekt të ri dhe kompleksin e godinave jashtë funksioni të ish-Sanatoriumit duke i integruar ato në formë miqësore me mjedisin dhe eficiente në energji. Me një fond limit prej 474 milionë lekë apo rreth 4.5 milionë euro është edhe në këtë rast Fondi Shqiptar i Zhvillimit autoriteti kontraktor për kontratën “: Investime për transformimin e aseteve publike me potencial zhvillimi në modele të standardit më të lartë të zhvillimit, Loti 2 “Kompleksi i Dijes, Korçë”.

Referuar raportit teknik nënvizohet se objekti 2 katesh me çati i Ish Sanatoriumit është një ndërtim i cili i përket vitit 1935, me një arkitekture tipike të kohës së ndërtimit e cila do të ruhet në formën që ka.

“Ajo është e ndërtuar me strukturë mbajtëse me mure tulle dhe soletë ndërkati prej beton – armeje. Propozohet që ndërhyrjet në pjesën e jashtme të fasadës së objektit të konservohen dhe riparohen pa ndryshuar formën, si dhe detajet përkatëse arkitektonike, ne mënyrë që godina ti rikthehet origjinalitetit të saj” thuhet në raport.

Ndërkohë pjesa më e rëndësishme e projektit duket të jetë objekti i ri i kampusit që bashkë me ish-sanatoriumin kanë një sipërfaqe mbi 7 mijë metra2. Objekti i ri do të ketë të paktën 5 kate.

“Territori i synuar për zhvillimin e Kompleksit të Dijes është ish- Kompleksi i godinave të Sanatoriumit. Kompleksi i godinave të Sanatoriumit, që ndodhen në Bashkinë Korçë, ka sipërfaqe prej rreth 7036 m2  truall (në të cilën 1581 m2 ndërtim) dhe ndodhet në pjesën lindore të qytetit, në rrugën Nënë Tereza. Në tre anë kufizohet nga zona urbane e qytetit dhe nga ana lindore me një reliev kodrinor. Ne afërsi te kësaj zone ndodhen Parku Japonez, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, Muzeu Oriental si edhe disa institucione te tjera te rëndësishme si Gjykata e rrethit Korçë” thuhet në raport.

Por çfarë parashikon godina e re sipas dokumenteve.

Kati +1 është i organizuar me klasa standarde për seminare, klasa me orientim nga veranda e objektit dhe laboratorë ose ambiente për work-shop. Ky kat ka një sipërfaqe prej 1693 m2. Gjithashtu në katin +1 tek objektin për restaurim (Sanatoriumi) me një sipërfaqe 320 m2 kemi zhvillimin e administratës me zyrën e rektorit, zyra stafi, sallë mbledhje etj,.

Kati +2 ashtu si dhe kati +1 është i organizuar me klasa standarte për seminare, klasa me orientim nga veranda e objektit dhe laboratore, po ashtu si në çdo kat presa i përket flukseve, lëvizjeve vertikate kemi një bllok shkallë-ashensor dhe një shkallë antizjarr si dhe grupin e nyjeve higjieno-sanitare të ndara sipas gjinisë dhe për P.A.K.. Ky kat ka një sipërfaqe prej 1348 m2.

Kati +3 në vijim të kateve +1 dhe +2 vazhdon me shpërndarjen e klasave standarde për seminare dhe klasa me orientim nga fasada kryesore e godinës me pamje nga veranda. Sipërfaqja e katit është 1050 m2.

Kati +4 po ashtu është i organizuar me klasa standarde për seminare, ndërsa hapësirat e tjera përgjatë korridorit shërbejnë si ambiente çlodhëse dhe rekreative që kanë dhe akses në verandën e katit. Ky kat ka një sipërfaqe prej 810 m2.

Kati +5 ose kati i fundit i objektit shërben si bibliotekë për kampusin që aksesohet si nga shkallët dhe ashensori i brendshëm i objektit por edhe nga shkalla e jashtme që fillon që nga kati përdhe dhe përfundon në këtë kat duke përshkuar të gjithë godinën. Biblioteka ka të pozicionuar edhe një bar dhe mund të shërbejë edhe për njerëzit e tjerë që nuk janë pjesë e kampusit duke e aksesuar nga shkalla e jashtme. Sipërfaqja është 810 m2. Në tarracën e katit kemi vendosur edhe panele fotovoltaike për të rritur performancën e eficencës energjitike.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor